Publikuar më: 2 Nëntor, 2010

Shqipëria, e 5-ta në Evropë për numrin e divorceve

Divorcet e regjistruara nëpër gjykatat tona trondisin agjensitë prestigjioze në botë të cilat merren me klasifikimin e vendeve për sa i përket fenomenit, që rregullohet me ligj, të divorcit. Ndërkohë që shifrat vendin tonë e rendisin në pozicionin e 14, bëhet e ditur se Shqipëria ka numrin më të madh të divorceve në të gjithë Ballkanin, madje shkohet më tej në hartën e “Nation Master” kur konstatohet se nga të gjitha vendet e rajonit listohet vetëm Shqipëria dhe diku nga fundi zënë vend Greqia dhe Turqia, por në shifra fort herë më të ulëta se ne.
Edhe pse nga ana e lajmëtarëve të gjykatave tona, rrallë paraqiten shifra të betejave të çifteve shqiptare për t`i dhënë fund martesave të tyre nëpër sallat e gjykatave, është “Nation Master”, që na tregon në tabelë vendosjen me statistika të divorceve në Shqipëri duke saktësuar se në 1000 vetë divorcohen 0, 83 persona.
Statistikat e kësaj agjencie tregojnë se në krye të listës mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa bie në sy fakti që Shqipëria ka para në këtë listë si shtete evropiane vetëm Rusinë Finlandën dhe Portugalinë, ndërkohë që nga vendet e fundit bien në sy Danimarka me Italinë. Burime të gazetës saktësojnë se realisht në gjykatat e rretheve e sidomos në atë të Tiranës çështjet për divorcin janë shtuar nga viti në vit dhe sidomos në rrethet e mëdha ku në krye sërish mbetet Tirana, e kjo jo vetëm për numrin e madh të popullsisë, por edhe për një sërë faktorësh të tjerë.
Por, si ka lëvizur problemi i divorcit në vendin tonë?
Nga statistikat e shkëputura shumë kohë më parë është saktësuar se divorci më shumë se sa një fakt gjyqësor tashmë duket se është përfshirë në një fenomen tronditës të shoqërisë shqiptare. Ky fakt, që na rendit të 14 në botë, ka marrë një përgjigje realisht në muajin gusht të këtij viti, kur në disa gjykata të rretheve të vendit numri i padive dhe i kërkesave për divorc thuajse u kthye në një bum.
Referuar të dhënave shqetësuese që u transmetuan nga regjistruesit e gjykatave u mësua se një nga faktet që e rriti numrin e kërkesave ishte edhe muaji pushim i gjykatësve, por në të vërtetë fluksi solli në vëmendjen e studiuesve një nga shkaqet më reale ku starton problemi i divorcit. Një përqindje e madhe e kërkesa-padive kishte protagoniste bashkëshortë që vinin nga jashtë. Ndonëse ky shkak nuk është i pa hasur edhe më parë në dosjet që mbushin sirtarët e gjykatave por me sa duket problemi vjen në rritje çdo ditë e më tepër.
Kështu u tha se nga regjistrimet e kryera në një periudhë thuajse 9 mujore në vendin tonë mësohet se numri duke u krahasuar me një vit më parë është shumë herë më i madh se viti i kaluar, ndërsa krahasuar me vitet e tjera rritja e këtij viti është thuajse alarmante.
Shkaqet e evidentuara në Gjykata
Motivi më i shpeshtë, linçuar në kërkesë-padinë e divorceve që bëjnë çiftet mësohet se ndryshon nëpër rrethe. Kategoritë e arsyeve të divorceve janë të shumta por veçohen kryesisht arsyet që çojnë zakonisht çiftet që njëri prej bashkëshortëve, e në rastin tonë bashkëshortit, të jetë emigrant. Ndonëse ende nuk është saktësuar përqindja në lidhje me personin që kryen padinë, por emigrantët mësohet se muajve të verës kanë kryer edhe përqindjen më të madhe të kërkesave për divorc. Mësohet se shkaku kryesor bëhet tradhtia bashkëshortore, ndërsa në pjesën më të madhe të dosjeve që mbartin edhe motivet që gjelozia është kryesorja. Kushtet ekonomike nga njëra anë dhe pavarësia ekonomike nga ana tjetër, që kjo e fundit bën që të evidentohen edhe kërkesat e grave për të zgjidhur martesën.
Shifrat e divorceve nga 2004-a.
Në vitin 2004 janë regjistruar gjithsej 4577 çështje familjare në të gjitha gjykatat e shkallës së parë. Nga totali i këtyre çështjeve familjare 3670 kanë qenë zgjidhje martese. Në vitin 2005 janë regjistruar gjithsej 5526 çështje familjare, nga të cilat 4633 kanë qenë zgjidhje martese, pra në vitin 2005 janë shqyrtuar 963 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin  2004. Në vitin 2006 numri i çështjeve familjare të regjistruara gjithsej është 5742. Nga ky numër 4727 janë zgjidhje martese, pra 94 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2005 dhe 1057 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2004. Në vitin 2007 numri i çështjeve familjare të regjistruara gjithsej është 6658. Nga ky numër 5335 janë zgjidhje martese, pra 808 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2006 dhe 902 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2005. Në vitin 2008 numri i çështjeve familjare të regjistruara gjithsej është 8082. Nga ky numër 6109 janë zgjidhje martese, pra 774 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2007 dhe 1382 zgjidhje martese më shumë se sa në vitin 2006. Nga 6109 çështjet e regjistruara, 5089 kanë përfunduar dhe 1020 janë ende pa përfunduar. Nga çështjet e përfunduara 2122 janë me kërkesën e bashkëshortit, 3155 me kërkesën e bashkëshortes dhe 832 me kërkesë të përbashkët. Specialistët kanë arritur në konkluzionin se numri i zgjidhjeve të martesës të shqyrtuara nga gjykatat ka
ardhur në rritje në krahasim me vitet e mëparshme.