Publikuar më: 7 Shkurt, 2011

“21 Janari” Tom Doshi, Sterkaj dhe Ndoka dëshmojnë në prokurori

Disa prej organizatorëve të demonstratës së 21 janarit kanë dëshmuar pranë prokurorisë së Tiranës lidhur me përfshirjen e tyre në trazirat e ndodhura.

Mësohet se policia e shtetit ka depozituar në prokurori denoncim për krerët e opozitës së bashkuar, si organizatorët e dhunës ndaj efektivave të policisë së shtetit dhe tentativën e rrëzimit të rendit kushtetues më 21 janar.

Mësohet se herët në mëngjes, në prokurori ka shkuar deputeti i Partisë Socialiste Tom Doshi dhe pas tij deputeti Paulin Sterkaj.

Dëshmia e dy deputetëve nuk ka zgjatur më shumë se 20 minuta, dhe sipas burimeve mësohet se deputetëve u është kërkuar një takim i dytë në institucionin e akuzës për të dëshmuar serish.

Rrethe orës 11 të paradites, në prokurorinë e Tiranës ka shkuar për të dëshmuar dhe kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, ky i fundit lëshoi akuza ndaj policisë së shtetit të cilën e cilësoi si të keqpërdorur nga mazhoranca.

“Është për të ardhur keq që policia e shtetit është ndërruar në një seksion të partisë demokratike dhe që merr urdhra politik. Kam dëshmuar sot në cilësinë e dëshmitarit dhe jam i gatshëm të dëshmoj sa herë do më kërkohet” ka thënë Ndoka në dalje të prokurorisë.

Opozita e bashkuar që demonstroi 21 janarit janë akuzuar nga kryeministri Berisha si organizatorët e një grushti shtetit, duke paguar kontingjent kriminal . Ndërkaq, sipas dëshmisë së drejtorit të përgjithshëm të policisë, gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se në demonstratë janë evidentuar 321 persona me precedent penal, të cilët kanë qenë aktiv duke dhunuar forcat e rendit.