Publikuar më: 31 Mars, 2011

Kultura dhe gjuha rome, lëndë me zgjedhje në gjimnaze

Kultura dhe gjuha rome do të mësohet në gjimnaz si një lëndë me zgjedhje. Për arsimimin e këtij komuniteti Ministria e Arsimit do të sigurojë edhe libra falas vitin e ardhshëm shkollor.

MASH ka vendosur gjithashtu të ofrojë edhe drekë falas për fëmijët romë pas mësimit. Gjatë konferencës së sotme që u mbajt nё kuadёr tё “Ditёs Ndёrkombёtare tё Romёve”, (e cila ёshtё nё datё 8 prill), ishte e pranishme edhe zëvendësministrja e Arsimit z.Nora Malaj e cila theksoi se kultura dhe gjuha rome do të jetë lëndë me zgjedhje nga klasa 9-12.

“Në orët me zgjedhje që janë orë në sistemin kurrikular në klasën e nëntë deri në klasën e 12-të, nxënës të ndryshëm, sidomos të komunitetit rom kanë mundësi që të shfaqin veçoritë e tyre të karakteristikave të edukimit, të traditës dhe të kulturës së tyre, duke sjellë elementë të gjuhës së tyre si një dukuri e nevojshme dhe shumë e rëndësishme.

Kjo përfshirje në orët ekstra, në shkolla të gjuhës rome, do të reduktojë diskriminim,” kështu u shpreh zv.ministrja e Arsimit Nora Malaj, e cila theksoi më tej se sot ka mbi 2800 fëmijë romë, pjesa më e madhe e të cilëve femra që ndjekin arsimin parauniversitar. Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka vendosur që të ndjekë politika lehtësuese, për nxënësit e arsimit parauniversitar, për sa i përket teksteve shkollore.

“Në shtator të vitit 2011 të gjithë nxënësit romë do të marrin tekstet shkollore falas dhe këto tekste do të rimbursohen nga shteti në masën 100 për qind”, tha më tej Nora Malaj. Këto deklarata u bënë gjatë konferencёs kombёtare “Fuqizimi i Romёve”, njё pёrqasje pёr zhvillimin gjithёpёrfshirёs, e mbështetur nga zyra e bashkëpunimit zvicerian në Tiranë, e cila financon në fondin e arsimit rom.