Publikuar më: 2 Mars, 2011

Vaksinë e re për bebet kundër Pneumokokut

Të gjithë fëmijët që janë lindur nga muaji janar i vitit 2011-të do të injektojnë një vaksinë të re.

Vaksina kundër Pneumokokut e cila gjendet tashmë në qendrat shëndetësore, aplikohet në tre doza (2, 4 dhe 6 muajsh) si dhe ofrohet falas për të gjithë këta fëmijë në të gjithë vendin.

Kjo vaksinë i mbron fëmijët, nga shumë komplikacione, që kanë të bëjnë me infeksionet respiratore, pneumoninë, meningjitin etj. “Pneumokoku është një nga shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë foshnjore, nga mosha 0-5 vjeç, është një nga shkaqet më të mëdha të sëmundjeve të mushkërive, të cipës së trurit, të veshit të mesëm që janë dhe shkaqe të rëndësishme dhe dominojnë vdekshmërinë foshnjore”, tha sot Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë.

Më tej ministri Vasili ka theksuar se kjo vaksinë ul dhe kostot e larta me te cilat përballen pacientët nëse preken nga pneumokoku. “Trajtimi i të sëmurëve me këto infeksione të mëdha ka kosto jashtëzakonisht të mëdha. Kurimi i një fëmije mund të kushtojë dhe 2-3 milionë lekë të vjetra në vit.

Ju e kuptoni që nëpërmjet kësaj vaksine edhe shëndeti i fëmijëve ruhet por dhe kostot e panevojshme të sistemit evitohen”, tha Vasili. Vetëm dy vite më parë në kalendarin kombëtar të vaksinave u përfshi edhe ajo pentavalente, duke zëvendësuar me një injeksion të vetëm, 5 lloje të tjera vaksinash.