Publikuar më: 29 Prill, 2011

Sanatoriumi si QSUT, shtohet shërbimi i kardiologjisë

Spitali i Senatoriumit në Tiranë nuk do të jetë i specializuar vetëm për mushkëritë. Tashmë ai do të ofrojë për pacientët edhe shërbimin e kardiologjisë apo kirugjisë, duke ulur në këtë mënyrë edhe fluksin e pacientëve në QSUT.

Këto shërbime do të mundësohen falë aparaturave të reja në sallat që u inaguruan dje falë ndihmës së qeverisë austriake. I pranishëm në këtë ceremoni kreu i Shëndetsisë, Petrit Vasili u shpreh se dalëngadalë po i jepet fund metodave të vjetra diagnostikuese. “Ky spital është rikonstruktuar, është përmirësuar.

Do të ketë edhe një fazë të dytë rikonstruksioni dhe përfundimisht, sikurse unë e përcolla, shërbimi i kardiologjisë së avancuar, i një kirurgjie të përgjithshme etj, i japin pamjen e një spitali me dimension të ndryshëm nga ai që ka pasur më parë, pra ofron shërbime shtesë të cilat dekoncentrojnë punën.

Tani jo gjithçka do të përqëndrohet te “Nënë Tereza”, por bëjmë një shpërndarje ku jo vetëm shkurtojmë kohën e kurimit të pacientëve por rrisim edhe cilësinë e shërbimit,” tha Vasili. Aktualisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë trajtohen rreth 140 pacientë nga të gjitha rrethet e vendit.