Publikuar më: 13 Korrik, 2011

Zamir Mane i çon kompaninë Carrefour kryeministrit, hapet dyqani i të pasurve në lagjen luksoze

Bosi i QTU-së në Shqipëri bashkon aksionet me kompaninë ndërkombëtare, të dytën në botë, Carrefour dhe ia prezanton liderin e saj kryeministrit Sali Berisha. Në muajin nëntor të këtij viti, Zamir Mane, i njohur si president i Balfin dhe Mane TCI, me aktivitet në fushën e ndërtimeve dhe agro-kulturës në supermarkete në disa qytete të vendit, do të hapë degën e re në periferi të kryeqytetit, midis Saukut dhe Lundrës.

Dyqani i Carrefour është marrë përsipër nga Balfin dhe QTU në bashkëpunim. Mediat ekonomike i kanë bërë jehonë këtij lajmi, duke u përqendruar më tepër te klima e mirë e biznesmenit Mane me kryeministrin Berisha. “Carrefour hap në nëntor dyqanin e parë në Shqipëri. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori ekzekutiv i kompanisë franceze, Christian Charitat, menjëherë pas takimit në zyrën e kryeministrit Sali Berisha”, shkruajnë mediat.

Bëhet fjalë për 7 mijë metra katrorë dyqan në Tiranë, në kompleksin e njohurtregtar “Teg Center” (Tirana Est Gate) i Zamir Manes, vetëm 6 km nga kryeqyteti. “Teg” cilësohet si një nga komplekset më gjigante dhe më të frekuentuara e moderne, ku ka vila tepër luksoze të ndërtuara posaçërisht për shtresën e pasur. Carrefour do të sjellë në Shqipëri 3 mijë artikujt e saj ekskluzivë me mbi 500 vetë të punësuar dhe me premisa shtrirjeje në qytete të tjera.

Drejtori Christian Charritat ia ka rrëfyer kryeministrit Berisha planet e kompanisë dhe aktivitetin e saj në prezencë të Zamir Manes, presidentit të “Investment Group Balfin”, shoqëria e projektit “Teg” dhe “QTU”-së.