Ekskluzive/ Kamboxhia sulmon ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu për “spiunazh”
Uikiliks bën viktimë edhe një diplomat të njohur në Shqipëri. Në shënjestër vihet ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Vetëm një javë më parë, në mediat aziatike qarkulloi një deklaratë e bujshme e ministrit të Jashtëm të Kamboxhias, Hor Namhong, i cili sulmonte hapur zyrtarin e ambasadës, duke protestuar në lidhje me një raport që Arvizu kishte mbajtur vite më parë kur ishte diplomat në Azi.Ministria e Jashtme e Kamboxhias i ka shkruar ambasadës amerikane dhe nënambasadorit në atë vend, Jeff Daigle, që të protestojë lidhur me kabllogramin e publikuar që përfshin ministrin si “një njeri malinj me ndikime direkte”. Në kabllogram thuhet gjithashtu se kreu i burgut Beng Trabek dhe ministri ishin të përfshirë në tortura dhe madje vrasjen e shumë të burgosurve. Në 2008 u deklarua se ishte një sulm politik ndaj Namhongut nga ana e opozitës dhe liderit të saj Sam Rainsy. Gjykata dënoi me dy vjet burg Raimsyn për deklaratat e bëra ndaj ministrit, pasi u gjetën të pavërteta, në vitin 2008. Një gjykatë franceze më pas detyroi liderin e opozitës që të paguante një shumë simbolike për deklaratat e rreme e t’i shpëtonte burgimit për autobiografinë e botuar.
Pas deklaratës protestë të ministrit, ambasada e SHBA-ve në Kamboxhia u detyrua të bënte një njoftim nëpërmjet zëdhënësit të saj, ku në emër të diplomatit drejtues të misionit, Daigle, të shprehte “frymën e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve. Relatat mes ministrit dhe institucionit të tij me autoritetet amerikane janë të forta, në interesa të ndërsjellta e do të forcohen më tej nën administratën Obama”








