Publikuar më: 5 Shtator, 2011

Ekskluzive/ Lidhjet me Iranin për sekretet nukleare largojnë Shqipërinë nga NATO

Shqipëria u përjashtua nga të drejtat për të hyrë në informacionet top-sekret të NATO-s, çështjet e energjisë nukleare apo bombat bërthamore, për shkak të lidhjeve të saj të dyshimta me Teheranin. Vetëm pak ditë më parë është zhvilluar një takim shumë sekret i “Të Gjashtëve” ku është diskutuar rreth informacioneve sekrete që disponoheshin nga Aleanca për lëvizjet e Iranit në fushën e prodhimit të energjisë nukleare apo bombave bërthamore, një çështje që shumë vite më parë futi SHBA-Irak në luftë. Diskutimet siç raportojnë mediat ndërkombëtare, kanë qenë tepër të fshehta, mes gjeneralëve më të fuqishëm të Aleancës dhe përfaqësuesve të shteteve të tyre. Sigurisht që ashtu sikurse dhe Shqipëria, nuk kanë qenë pjesë as 21 vende të tjera që janë anëtare në NATO. Por kujtojmë se dy muaj më parë NATO i hoqi të drejtën Shqipërisë, vend anëtar i saj, që të hynte në rrjet për të parë informacionet e klasifikuara të energjisë bërthamore. Më parë, vendi ynë, të paktën që prej anëtarësimit, mund të hynte në çdo lloj informacioni. Por çfarë ndodhi ?.
Sekretet
Lëvizje të fshehta dhe konspirative ushtarakësh dhe politikanësh, rryma të luftës së ftohtë dhe përplasje diplomacish. Menjëherë qeveria e përfaqësuar nga njerëz me lidhje të trefishta ndërmori rrjedhjen e informacioneve sekrete dhe shitjen e tyre tek vende të klasifikuara jo mike. Më problematike, shitja tek serbët dhe islamikët, këto të konfirmuara nga NATO. Aleanca hetoi skandalin dhe zbuloi përgjegjësit, megjithëse u mbajt gjithçka sekrete. Hetimet u drejtuan nga përfaqësues të Komandës Turke, madje pati dhe një intervistë të drejtorit të Informacionit të Klasifikuar në Kryeministri disa muaj pas skandalit. Rrjedhja e informacioneve u bë diku nga mesi i vitit 2010, intervista është dhënë në fund të vitit në një media turke. Menjëherë erdhi penalizmi, ku gjeneralët shqiptarë nuk lejoheshin në diskutime për operacionet në Lindjen e Largët, Afganistan dhe Irak, megjithëse ishim vend anëtar dhe kishim forca paqeruajtëse. Por më tej na kushtoi shtrenjtë një vizitë, shumë sekrete nga ana zyrtare, por jo mediatike.
Ahmedinexhadi
Në janar të këtij viti, pas dy vitesh negociatash miqësie e takimesh të ambasadorëve të Iranit me qeveritarë, deputetë dhe ministra, vjen për vizitë dy ditore shefi i kabinetit të Ahmedinexhad, presidentit të Iranit. Mashayee u përpoq ta mbante sekret vizitën jo zyrtare, pasi ishte pa protokoll, por media e zbuloi dhe publikoi në Teheran. Mashayee pranoi se ishte për vizitë private dhe mësohet se ka udhëtuar përsëri në Tiranë për ta shuar skandalin, që të mos bëhej më i madh. Takoi presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe ish-zëvendëskryeministrin Ilir Meta. Vizita u mbajt përsëri sekrete nga autoritetet tona, megjithëse kur u kthye Mashayee e deklaroi publikisht dhe shpjegoi se bëri ftesa për shqiptarët me rastin e festës kombëtare iraniane të 24 marsit. Vizita e tij u bë vetëm nëntë ditë para masakrës së 21 janarit. Çfarë kanë diskutuar mes tyre, ende nuk dihet, por sigurisht që janë mësuar nga ambasadat e BE-së dhe SHBA-së, të cilat më vonë i kanë transmetuar në qendër. Po gjatë vitit 2009, Tirana atashoi në Iran si ambasador kunatin e botuesit Fahri Balliu, (konsullatë shqiptare në Teheran), i akuzuar disa herë për korrupsion. NATO dhe SHBA rritën dyshimet e tyre për shkak të informacioneve sekrete që shiteshin nga Shqipëria.
Gadafi
Në muajin Mars, gjatë “Pranverës arabe”, kapet një anije me armë e municion drejt Tripolit. Zbulohet se u dërgua nga Durrësi dhe së fundmi ka qarkulluar sërish emri i një botuesi si ndërmjetës. Alarmi në Aleancë është bërë i madh, aq sa janë kërkuar hetime dhe sqarime zyrtare. Në muajin Maj, Arben Imami udhëton në zyrat e NATO-s për sqarime, por nuk shpjegon dot asgjë. Faji i mbetet kinezëve, dyshime të forcuara së fundmi nga dokumentet e gjetura në zyrat e Gadafit, por në Tripoli apo Bengazi qarkullojnë municione dhe armatim shqiptar në duart e mbështetësve të diktatorit. Menjëherë pas zgjedhjeve lokale të 8 majit dhe përkeqësimit të klimës politike, pas përjashtimit të gjeneralëve nga mbledhjet operacionale në Libi, u komunikohet edhe përjashtimi nga hyrja në rrjet për sekretet e energjisë nukleare. Dhe pak kohë më pas marrëdhëniet mes Iranit dhe NATO përkeqësohen ndjeshëm.
Rusia
Rusia nga ana tjetër irritohet për lëvizjet e SHBA dhe NATO që operojnë në sekret të plotë dhe i afrohen çdo ditë e më shumë Lindjes dhe kufijve të tyre. Ka dyshime të forta se Rusia furnizon me armë të rënda, raketa, Iranin dhe ndihmon në energjinë nukleare, programin e saj. Pak ditë më parë Teherani njoftoi se po prodhon bombën bërthamore, duke alarmuar sërish perëndimorët. Nëse dyshimet e shitjes së informacioneve kaq sekrete do provohen më tej, (kujtojmë se hetimet nuk kanë përfunduar ende), atëherë nuk dihet se çfarë gjëme e pret qeverinë aktuale shqiptare, në mos “furtuna” ka nisur. Ardhja e kreut të Antidroges, Ivanov, nje ish anetar i fuqishem i KGB-se ne ish-Bashkimin Sovjetik, ka terbuar Uashingtonin me marrëveshjen ruso-shqiptare.
Kabllogramet
Po t’i referohesh kabllogrameve të ambasadës së SHBA-së në Tiranë gjatë 2009, por edhe më pas, ndihet frika e forcimit të lidhjeve të Shqipërisë me Iranin dhe politikanëve për përfitime të caktuara. Ish ambasadori Uidhers e transmetonte këtë shqetësim, sidomos hapjen e një linje ajrore Teheran-Tiranë të propozuar nga ambasadori iranian. Kërkesa u pranua nga ish-ministri i Jashtëm Ilir Meta, por u refuzua nga SHBA. Po kështu përmenden tentativat për të emëruar në ambasada persona të lidhur në të kaluarën me elementë terroristë, që kanë afinitet me ta, njohin kulturën, zakonet dhe janë miq. Së fundmi ambasada njeh dhe shqetësimin e rrymave ekstremiste në vend, të pa aktivizuara, që në çdo rast do të ishin kundërshtarë të SHBA-ve, si dhe forcimin e relacioneve iraniane në fushën e fesë, kulturës dhe të tjera (kabllogrami më i fundit).
Shpërblimi islamik
Një tjetër çështje dyshuese ka qenë kredia nga Banka Islamike, ku Irani ka aksione të mëdha dhe mund të ketë ndikuar menjëherë pas vizitës së shefit të kabinetit të Ahmedinexhad në Tiranë, në muajin janar 2010. Kredia 350 milionë dollarë kujtojmë se u aprovua pas masakrës së 21 janarit, për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Kuvajti fali 50 milionë euro për këtë rrugë, ndërtimi i tunelit. Çështje këto ende të pa sqaruara nga qeveritarët dhe me mungesë të plotë transparence. Ngërçi politik solli një tjetër lëvizje qeveritare drejt vendeve arabe, si për t’i bërë presion BE dhe SHBA se ata mund ta destabilizojnë rajonin dhe se janë faktor. Ndërkombëtarët zbutën tonet, por Berisha mësyu drejt Emirateve Arabe me Shrefedin Shehun. U pranua në parim një kredi me interesa të kënaqshme prej 120 milionë dollarësh, për ndërtimin e parlamentit të ri, por së fundmi është thënë se u bllokua. Ky bllokim ka ardhur menjëherë pas arrestimit në Spanjë të bosit të Albanian Airlines dhe aksioner në disa kompani turke, Ali Evsen. Turku me pasaportë shqiptare u akuzua për lidhje me terrorizmin së bashku me një mikun e tij rezident në Madrid dhe u kap gjatë muajit qershor, teksa pastronte paratë e diktatorit egjiptian Mubarak. Por Evsen njihet nga agjencitë ligjzbatuese edhe si mik i familjes qeveritare.
Misteri
Tashmë qeveria shqiptare ka mbetur mes dy zjarresh, borxheve të mëdha të mara me pamundësi për t’i shlyer, investimeve nga bota arabe me kushte për të kthyer timonin, ngërçit politik në vend dhe frikës për të humbur pushtetin, me abuzimin për të cilin mund të përgjigjen një ditë, pasi të bien nga pushteti. Lajmet e fundit nga Tripoli i Libisë flasin për dokumente sekrete të gjetura në zyrën e Gadafit për marrëveshje të ndryshme, se si CIA dhe shërbime të tjera sekrete e ndihmonin në vite diktatorin, por ishte pikërisht SHBA që i dha shkelmin e fundit njeriut që qëndroi 40 vite në pushtet. Pra, në fshehtësi e shtynte në “mëkate pushteti” dhe publikisht e rrëzoi me revolucion popullor.
Të Shfaqura: 1 Koment
Ja cfarë kënë thënë
  1. Anti-Talebani thotë:

    Talebani Berisha duhet hequr sa me pare nga ajo tryeze.