Sekreti, 30 lobistë mbështesin Berishën për bizneset e tyre, DASH nis hetimet
Një lob i fuqishëm me shqiptaro-amerikanë, ku janë rekrutuar senatorë dhe kongresmenë, është krijuar në SHBA aktualisht me idenë për të mbështetur në ditët e këqija kryeministrin Sali Berisha. Një pjesë sepse kanë investimet në vendin tonë, si”Bechtel”, një pjesë sepse vjelin miliona në vit për reklama si “Patton Boogs” dhe “Podesta Group”, një pjesë sepse janë në tratativa dhe sapo kanë marrë disa koncesione, naftë dhe minerale, si “Tirex” apo “Sky Petroleum”, kurse pjesa tjetër sepse tenton të hyjë në këtë biznes, kryesisht në energjetikë dhe ndërtime, si Rramy Bajraktari, miku personal i kongresmenit Elliot Engel.
Që të ketë një lob që punon për Shqipërinë, nuk ka asgjë të keqe, aq më tepër me ndikim në Kongres, Senat dhe deri tek presidenti i SHBA-ve. Por e keqja është se ky grup ka në përbërje në 90 për qind të tij vetëm kosovarë, shumë shumë pak shqiptarë. Dhe çfarë interesi kanë kosovarët tek shqiptarët?. Asgjë përveç biznesit dhe investimeve që kërkojnë. Për t’ju bërë qejfin, Berisha në vizitën e fundit premtoi se do u heqë koncesionet firmave që ua ka dhënë për hidrocentrale dhe do ia japë tipave si Bajraktari, që kanë ndikim te kongresmeni Engel e më gjerë. Burime të rezervuara i thanë agjencisë AMA se është krijuar një grup me rreth 30 persona të njohur në fushën e biznesit, krimit dhe politikës, me qëllimin e vetëm që të mbrojnë Berishën dhe nëpërmjet tij investimet e tyre të paligjshme.
Por tronditja që i është bërë kongresmenit Engel me skandalin e mashtrimit, pasi figuron 24 për qind aksioner te kompania e Bajraktarit, duket se po e shkund keqani edhe politikën e mazhorancës në Shqipëri. Duket se ky ka qenë edhe mesazhi që i është dhënë Berishës në Nju Jork, se grupi do përpiqet, por kohët janë më shumë se të vështira. Departamenti Amerikan i Shtetit, Kongresi, Senati dhe Shtëpia e Bardhë, nuk mund të mbajnë më kurrsesi në kurriz një skandal të tillë, që duket se po prek pak nga pak edhe ambasadorin amerikan në Tiranë. Ky i fundit ka shfaqur mbështetje të hapur ndaj Berishës, duke vënë në rrezik edhe karrierën personale, teksa mësohet se në DASH janë vënë në dijeni nga një grup tjetër shqiptarësh për pazaret në kurriz të politikës amerikane të bëra nga disa pseudo senatorë apo kongresmenë, vetëm që të mbronin një kryeministër që akuzohet se me dorën e Gardës vrau 4 vetë në bulevard më 21 janar 2011.








