Publikuar më: 2 Tetor, 2011

SHBA, kongresmeni Elliot Engel, lobist i Berishës, nën akuzë për mashtrim biznesi

Kongresmeni pro-shqiptar Elliot Engel akuzohet për aferra korruptive dhe mashtrime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Nju Jork Daily Njuz” ka zbardhur një nga skandalet ku është përfshirë kongresmeni që mbështet kryeministrin Sali Berisha nëpërmjet lobit që drejton në Amerikë. Në një artikull të gjatë dhe të detajuar, gazeta e përfshinë kongresmenin demokrat në deklarime të rreme pasurie dhe në pazaret që ka bërë me biznesmenin shqiptar Ramy Bajraktari në Bronks, një nga lagjet më të njohura në Amerikë.

Flitet për një sipërfaqe apartamenti, ku autoritetet shtetërore kanë tentuar të investigojnë, por nuk u është përgjigjur njeri. Dhe pas këtij apartamenti qëndron pikërisht kongresmeni Engel, i cili në të ardhmen nëse ky skandal zgjerohet, atëherë rrezikon shumë. Engel është mbrojtës i interesave shqiptare dhe i mbështetur nga komuniteti shqiptar në këtë zonë gjatë fushatave në këto vite. Por lidhja me Bajraktarin e hedh në dyshime tepër të forta dhe për faktin se aktualisht Engel mbështet kryeministrin Berisha në Kongres dhe më gjerë në afera korruptive për shkak të interesave që kanë biznesmenët e tij miq në SHBA si Bajraktari, që po bëhen gati të investojnë në Shqipëri. Një tjetër biznesmen shqiptaro-amerikan është edhe Sahit Muja, bosi i mineraleve dhe që e heq veten si President i Mineraleve Shqiptare, por që në fakt ka dhjetëra marrëveshje me qeveritë e Rusisë, Kinës dhe në Afrikë, duke zhvatur dhe arin shqiptar me koncesione jo transparente.

Sipas gazetës amerikane, Engel është partner në biznes me Bajraktarin dhe figuron pronar i një ndërtese gjigante në 1142 Metcalf Ave në Bronks. Prej vitit 2009 dhe ditët e sotme inspektorët shtetërorë duan ta investigojnë, por nuk janë lejuar. “Herë pas here Engel dhe partneri i tij e kanë injoruar këtë kërkesë dhe e kanë kundërshtuar hapur jo ligjërisht nismën”, shkruan gazeta bazuar në fakte dokumentesh. Më pas edhe Departamenti i Ndërtesave ka tentuar të investigojë dyshimet rreth kongresmenit dhe Bajraktarit. Por edhe këta dështuan, pavarësisht 6 njoftimeve që u bënë. Dhe sipas dokumenteve rezulton se Engel zotëron 24 për qind të ndërtesës gjigante, që ai e pretendon me trashëgimi, por nuk arrin ta argumentojë ligjërisht dhe me dokumente. Për këtë shkak i shmanget detyrimeve dhe së shpejti mund të shkaktojë një skandal jo vetëm në Kongres, por edhe në Senat dhe në Shtëpinë e Bardhë. Sipas gazetës, Bajraktari zotëron dhjetëra investime apo aksione në biznese të ndryshme, përfshi dhe ndërtimin në SHBA. Prej 20 vitesh është mik personal i kongresmenit dhe e ndihmon në fushatat elektorale me mbledhje fondesh tek komuniteti i shqiptarëve në Bronks, që është i madh.

Vetë Bajraktari ka shpenzuar 72 mijë USD për Engel që prej vitit 2005 e deri tani, në ndihmë për fushatën elektorale. Më poshtë linku i plotë i shkrimit që ka tronditur jo pak Bronksin dhe kongresmenët.

 

http://www.nydailynews.com/news/politics/2011/07/17/2011-07-17_ya_mean_its_illegal_city_probers_shut_out_of_pols_building.html