Publikuar më: 25 Nëntor, 2011

Irani arreston 12 agjentë të CIA, informuan për trafikun e drogës me Shqipërinë

Irani arreston 12 agjentë të CIA-s që shërbenin si informatorë dhe që zbuluan informacionet se Teherani po zhvillon programin bërthamor dhe njëkohësisht kryen trafiqe në ngarkesa të mëdha droge nga Afganistani me avionë, anije e nëndetëse në drejtim të Shqipërisë, Rumanisë dhe Bullgarisë, me qëllim shitjen dhe financimin e organizatave terroriste dhe atentateve ndaj perëndimit dhe SHBA-ve.

“Guardian” dhe media të tjera prestigjioze njoftuan dje se operacioni është bërë nga ushtria iraniane duke arrestuar 12 të dyshuarit pikërisht për spiunim. Mësohet se agjentët ishin infiltruar në programet shkencore bërthamore, ushtri dhe në Gardën Revolucionare. Pikërisht kjo e fundit ishte e angazhuar me transportin e heroinës, hashashit dhe metamfetaminës edhe drejt vendit tonë. Mësohet se CIA ka nisur hetimet edhe për Shqipërinë prej disa ditësh dhe po kërkon prova të mjaftueshme dhe dëshmi konkrete për të zbardhur implikimin e ndonjë qeveritari, pasi këto sasi të mëdha kërkojnë dhe suporte qeveritare. “këta persona të arrestuar ishin infiltruar nga inteligjenca amerikane në ushtri dhe aktivitetet nukleare”, shkruante dje “Guardian”. Sipas Teheranit, këta persona vepronin brenda Republikës Islamike Iraniane, si zyrtarë apo administratë dhe i shërbenin CIA-s me informacione sekrete. Situata politike është tensionuar së tepërmi mes dy vendeve pas kësaj reprezaljeje, ndërkohë që më parë SHBA-të dhe vetë Obama kishte kërcënuar Iranin që të mos zhvillonte programin nuklear. Edhe agjencia shtetërore iraniane e lajmeve “Irna”, iu referuar autoriteteve zyrtare për lajmin dhe konfirmuan se të arrestuarit kanë qenë me shërbime deri në inteligjencën iraniane dhe me poste si dhe në sigurinë e vendit, ushtria, kufiri dhe shkenca. Një përfaqësues i parlamentit iranian dhe Komitetit të Sigurisë akuzoi 12 të arrestuarit se kanë tradhtuar vendin.

“Ata kanë shërbyer me informacione ushtarake dhe aktivitet të vendit tonë”, tha Parviz Sorouri. Sipas Teheranit Amerika dhe këta agjentë tentonin ta minonin Iranin nga brenda, por ata dështuan. Mësohet se Hezbollah, milicia siriane SHIA dhe vetë Irani, arritën të zbulonin këta spiunë të CIA-s. Lideri i Hezbollah, Hassan Nasrallah, tha në qershor se kishin zbuluar dy agjentë të infiltruar, por ishte skeptik. SHBA nuk ka reaguar ende për këtë operacion, teksa besohet se mund të kenë qenë informatorë lokalë që kanë pasur lidhje me qytetarë amerikanë. Por Irani nuk ka identifikuar të ndaluarit, emrat, shtetësinë dhe pozicionet konkrete. Në tetor raportet SHBA-Iran u tensionuan së tepërmi edhe pas mbledhjes së Asamblesë së OKB-së, kur delegacionet e shumta braktisën sallën kur foli presidenti iranian Ahmedinexhad. Më pas u zbulua atentati që dështoi ndaj ambasadorit të Arabisë Saudite në Nju Jork dhe u zbuluan përfshirjet e Iranit dhe organizatave terroriste. Irani mohoi këtë lidhje publikisht dhe një diplomat i këtij vendi i tha “Guardian” se amerikanët po përpiqeshin të vinin Teheranin në syrin e ciklonit ndërkombëtar me teknikat e tyre. Më tej Irani akuzoi SHBA-të se po përgatiste aksione dhune në vend dhe se kishte zbuluar se amerikanët ishin pas këtyre sulmeve që po ndodhnin, përfshirë vrasjet e shkencëtarëve. Madje lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, tha se “ne zotërojmë qindra dokumente të përfshirjes së amerikanëve në këto akte.

Ne ia kemi nisur OKB-se dokumentacionet dhe për pak kohë nuk do i bëjmë publike në media”. Një shpërthim në Teheran pak javë më parë vrau arkitektin e programit raketor iranian dhe disa shkencëtarë dhe pajisje u shkatërruan apo hoqën qafe. Irani i vuri gishtin amerikanëve. Mirëpo dëshmitë rrënqethëse së fundi të ushtarakëve apo oficerëve të Gardës Republikane Iraniane, të penduar, tregojnë për CIA-n që po heton, se shteti iranian po sponsorizon terrorizmin dhe aktet me bomba e atentate duke përdorur tregtinë e drogës nga Afganistani. Britanikja “The Times” publikoi pjesë të dëshmisë dhe hetimeve, ku thuhej se ushtria kryente trafik droge me avionë dhe anije në drejtim të tre bazave si Shqipëria, Rumania dhe Bullgaria, ku ka përqendrim të madh të grupeve kriminale dhe organizatave të trafikut dhe prej aty shpërndahej në Perëndim e deri në SHBA.

Sipas oficerëve iranianë, plani ishte që të vriteshin sa më shumë të rinj nëpërmjet drogës në perëndim dhe që me paratë e fituara të financoheshin grupe terroriste si Hamas, Hezbollah dhe Xhihadi Islamik. Aktualisht CIA po vijon hetimet në tre vendet e përmendura, Rumani, Bullgari dhe Shqipëri, për të gjetur prova bindëse.