Publikuar më: 17 Nëntor, 2011

Kokalari: Uisner, shpjego rolin e dyshimtë të “Patton” në privatizimet e dyshimta të Berishës!

Aktivisti shqiptaro- amerikan, Geri Kokalari, i ka shkruar një letër Frenk Uisnerit, njërit nga eksponentët e firmës së lobimit në SHBA, Patton Boggs. Kjo firmë do kujdeset për privatizimin e Albpetrolit. Ajo po ashtu bën avokatinë e qeverisë në Uashington. Gjeni më poshtë letrën e plotë.

 

Disa raportime lajmesh tregojnë se Patton Boggs po shërben si këshilltar për qeverinë shqiptare për shitjen e Albpetrolit. Personalisht mendoj se një numër firmash janë shumë më të kualifikuara për tu marrë me privatizime të kësaj natyre, por kjo është një tjetër çështje. Por jam i sigurt që ti je i lumtur me marrëveshjen për shkak se besoj se është goxha fitimprurëse për ty.

Ajo që më shqetëson më shumë është historia e përfshirjes së Patton Boggs në privatizimet në Shqipëri. Kur ARMO u privatizua, në një deklaratë një kolegu juaj, Jude Kearney, transmetuar nga Zëri i Amerikës, tha se transaksioni ishte thellësisht transparent. Kur ai e bëri këtë deklaratë, ai tha se ofertuesi kryesor ishte Refinery Associates of Texas (RAT). Gjithashtu mediat thanë se RAT ishte fitues. Megjithatë, ngjarjet ndryshuan kah mes deklaratës së zotit Kearney për transparencë dhe mbylljes së transaksionit dhe Rezart Taçi përfundoi si blerësi i ARMO-s dhe RAT duket se u zhduk në ajër. Për informacionin tuaj, zoti Taçi është i njohur si njeri i afërt i Berishës dhe ai së bashku me ‘truprojat’ e tij janë akuzuar më vonë se kanë rrahur barbarisht gazetarin Mero Baze, që njihet për kritikat e ashpra ndaj Berishës.

Do e vlerësoja shumë nëse do kini mirësinë të më ktheni përgjigje për pyetjet e mëposhtme:

-Çfarë ndodhi me ‘transparencën’ e marrëveshjes së ARMO-s dhe si përfundoi ARMO në duart e Taçit? Ku qëndron RAT në këtë ekuacion?

-Marrëveshja për ARMO-n parashikonte 185 milion dollarë si çmim blerje, të cilat do ofroheshin nga RAT. Në mbyllje të marrëveshjes, kjo shumë u pagua nga RAT, apo nga Taçi? Nëse ka ndodhur kështu, ishte një blerje cash, apo Taçi mori ndonjë favorizim në terma financiarë? Në kontratë po ashtu thuhet se blerësi i ARMO-s duhet të investojë 250 milion dollarë në shpenzime kapitale për 5 vite. A e ka plotësuar Taçi këtë aspekt të marrëveshjes?

-Me respekt për Patton Boggs dhe kualifikimet tuaja, a mund të na thoni se me cilat privatizime jeni marrë gjatë dy viteve të fundit? A po merrni ndonjë pagesë nxitëse për Albpetrolin, e cila nuk është bërë e ditur? Nëse është kështu, duhet të ketë plotësisht transparencë për kompensimin. Mendoj se ju e dini kuptimin e transparencës. Nëse jo, bazuar në atë që kam parë në marrëveshjen e ARMO-s, zoti Kearney nuk do ishte personi i duhur për të dhënë ndonjë shpjegim.

-Çfarë masash keni marrë për të parandaluar që të ndodhë me Albpetrolin sërish ndonjë ndryshim i dyshimtë i minutës së fundit, siç ndodhi me ARMO-n?

Sa i përket një tjetër çështje, Ilir Meta, ish- ministri i Jashtëm i Berishës dhe ish- zëvendës i tij, që është përgjegjës për faktin që Berisha është në pushtet, tani është subjekt i një skandali korrupsioni. Por së fundmi ka marrë disa lajme të mira. Kur ishte zëvendëskryeministër u regjistrua duke diskutuar për një ryshfet me Dritan Priftin, (shikoje në video, Meta është ai trashaluqi në të djathtë). Avokatët e Metës kanë pozicionuar mbrojtjen e tyre rreth argumentit acarues se video nuk është autentike. Ekspertët amerikanë, të kontraktuar nga prokuroria, kanë arritur në përfundimin se prova-video është autentike. Në këtë rast, ndryshe nga një rast tjetër kur ‘ekspertët amerikanë’ hetuan ‘aksidentin’ që vrau Kosta Trebickën, ata ishin të besueshëm. Por ata u vlerësuan si jo të mirë dhe në skenë u sollën ‘ekspertë’ shqiptarë për të ekzaminuar videon- provë. Surprizë, surprizë, surprizë, pak ditë më parë gjykata e kontrolluar nga Berisha vendosi të rrëzojë dëshminë e ekspertit amerikan dhe pranoi atë të ‘ekspertit’ shqiptar, që mbështet çështjen e Metës.

A mendon se është një koincidencë që Ardian Fullani- një qese gjigante e fryrë- sapo është rizgjedhur guvernator i Bankës Qendrore, pasi gruaja e tij, një gjykatëse në çështjen e Metës, vendosi në favor të tij? A mendon Patton Boggs se ky është një shembull i mirë i qeverisë së Berishës, e cila i bindet ligjit?

Një pyetje të fundit, duket ditur se çfarë dini për karakterin e Berishës- që në opinionin tim është një diktator imoral dhe i korruptuar- dhe nisur nga fakti se ti po nxjerr jetesës me të, çfarë personi shihni çdo ditë kur shiheni në pasqyrë?