Publikuar më: 8 Dhjetor, 2011

Prokurori amerikan: Almir Rrapon e punësoi Zëvendëskryeministri Meta

Pasi ka renditur provat dhe verdiktin e jurisë së Manhatanit në procesin ndaj vëllezërve Bruno dhe Saimir Krasniqi, drejtues të organizatës së shqiptarëve me të njëjtin emër, prokurori amerikan i çështjes, Peter Bharara, do të jepte një deklaratë të bujshme edhe për të dyshuarin tjetër.

Vëllezërit Krasniqi u gjetën fajtorë dhe do dënohen përjetë nga gjykata për 2 vrasje, 3 rrëmbime dhe trafiqe droge. Por pjesë, edhe pse më vete, është edhe Almir Rrapo, që sipas Bhararas, ka bashkëpunuar në zbardhjen e aktivitetit kriminal. Rrapo ka të njëjtat akuza mbi shpinë, por lehtësime për bashkëpunimin. “Falenderoj degën e FBI në Ballkan, Task-Forcën, Departamentin Kundër Krimit dhe Drejtësisë dhe autoritetet shqiptare për kapjen dhe ekstradimin e të dyshuarit të këtij grupi, Almir Rrapo. Rrapo ka qenë i punësuar si një sekretar i Zëvendëskryeministrit shqiptar dhe Ministrit të Jshtëm në kohën që është arrestuar në Shqipëri, edhe pse mbi të rëndonin akuza për bashkëpunim në krimet e organizatës “Krasniqi”, shpjegoi Bharara.

Të bën përshtypje përse edhe prokurori amerikan, ashtu sikurse FBI në deklaratën zyrtare, do i mëshonte faktit se Rrapo është punësuar nga Ilir Meta ku dhe i kërkuari ka gjetur strehë e përkrahje pushteti, edhe pse i kërkuar ndërkombëtar për krime tepër të rënda. Rrapo akuzohet për vrasjen e Erion Shehut dhe Anerik Grezdës, tre rrëmbime dhe trafik droge. Ka informacione se për këtë çështje do të kërkohet edhe një procedim ndaj ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta, i cili ka punësuar të kërkuarin, teksa po investigohet për ndonjë lidhje të ngushtë të tij në rrjet.