Publikuar më: 31 Janar, 2012

REPORTAZH/ Memaliaj, qyteti im që u “lind” dhe “vdiq” nga miniera

Nga: Erviola HALILI
Afro 200 kilometra larg kryeqytetit, gjendet qyteti im Memaliaj, kjo ish-qendër minatorësh, që tashmë ka mbetur pa “zërin e punës”. Memaliaj është një nga 11 ish-qytetet punëtore, ndërtuar “me aksion” në luginën e bukur, të blertë e të harkuar përgjatë lumit Vjosë. Mbi këtë luginë, në 40 vitet e epokës së socializmit u ndërtuan 250 shtëpi përdhese prej qerpiçi e 53 pallate prej guri dhe tulle nga 2 deri në 5 kate, me arkitekturë ruse, polake e shqiptare. Sipas dëshmive të parardhësve tanë gjyshër, prindër, veteranë e mësues, banorët e këtij qyteti tip “parcelë” erdhën nga fshatrat e rretheve Tepelenë, Përmet, Mallakastër, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Fier, Berat. Prej 20 vitesh, qyteti im i dashur, po përjeton asfiksinë dhe braktisjen e plotë të punës. Mjafton që këtë qytet, ta shikosh nga një pikë e kodrës përballë, prej nga duket si një kompleks banimi i braktisur, i fjetur, pa gjallërinë e dikurshme. Jeta e banorëve është me pamje monotonie të trishtë, me shumë shtëpi të rënuara e të braktisura prej të ikurve emigrantë e në qytete të tjera të vendit. Mjedise që përjetojnë heshtjen, mbrëmje që mbyllen kur duhet të nisin. Rrugica e trotuare që janë lënë pa përfunduar, të kthyer në pellgje uji, balte e pluhuri. Kafene që funksionojnë vetëm pë ata pak “bosa” që kanë disa “qindarka” rrogash dhe emigracioni. Të moshuar që qëndrojnë mbyllur në shtëpia se nuk kanë një vend të posaçëm. Prindër e të rinj të papunë, që zgjohen, nisin dhe mbyllin ditën me vetmi, “gallatë” e domino trotuarave e kafeneve.
Memaliaj “jetoi” 40 vjet, aq sa “jetoi” miniera
Memaliaj si qytet, nuk ka qënë vendbanim “historik”, por është krijuar enkas nga miniera e qymyrgurit. Si e tillë, gjithçka në vazhdimësinë si qendër banimi, ka qënë përcaktuar nga aktiviteti i minierës. Nëntoka e qymyrit ishte e vetmja qendër prodhuese në këtë qytet. Me qymyrin janë “ushqyer” e janë rritur brezat e këtij qyteti për 40 vite. Sipas të dhënave, Memaliaj arriti deri në 10 mijë banorë, të ciëlt quheshin “memalijotë” edhe pse ishin të ardhur nga fshatrat e Tepelenës, Fierit, Beratit, Vlorës, Gjirokastrës e Përmetit. Tregëtia, arsimi, shëndetësia, kultura, transporti, ndërmarrjet bujqësore etj, ishin të gjitha “shërbëtore” të minierës e njerëzve të saj. Por tashmë, që prej 20 vitesh, gjithçka ka ndryshuar dhe Memaliaj nuk është më ai qyteti  për të cilin interesoheshin të gjithë. Pse? Sepse nuk e ka më minierën, qymyrin. Ndaj dhe nuk ka as jetën që kishte, naj nuk ka as kujdesin e dikurshëm. Qyteti im u “lind” në vitin 1949, kur gjyshi im Hasani dhe shokët e tij minatorë, hodhën kazmën e parë në themelin e parë të minierës në galerinë e Karaules dhe nxorrën prej andej karrocën e parë me mineral qymyrguri. Kështu eci miniera ditë pas dite e vit pas viti, deri sa minatorët u quajtën “heronj” dhe miniera u quajt “heroinë”. Kështu, me gjallëri e punë gjigande, qyteti im “jetoi” deri në vitin 1992, moment kur miniera filloi të “vdes” pjesë- pjesë e gradualisht nga braktisja prej emigracionit dhe mbylljes së uzinave, fabrikave, kombinateve e ndërmarrjeve që punonin me qymyrgurin e kësaj miniere.
Mbyllja e nëntokës, asfiksim për jetën e mbitokës
Tashmë, kur kanë kaluar 20 vjet nga fillim-mbyllja e minierës, ata që nuk jetojnë në Memaliaj, më pyesin shpesh: Si jeton sot “ish-kocka e klasës punëtore”? Përgjigjen ta jep pamja e jetës në Memaliaj. E përditëshmja e këtij qyteti, ka si tregues modelin e një trupi të lodhur e anemik, të një komuniteti të dëshpëruar, deri me shpresë të humbur plotësisht. Të papunët, pensionistët, mësuesit, mjekët, të rinjtë dhe gjithë të tjerët që vazhdojnë të jenë ende banorë të këtij qyteti, po përjetojnë mungesën e punës, të investimeve, të shërbimeve. Të mbeturit brenda kësaj “getoje” social-ekonomike, secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, përpëliten duke u përpjekur për të mbijetuar. Ata jetojnë me lekë emigracioni, me lista ushqimi, me asistenca e përkrahje sociale, me fëmijë pa kushte për arsimim normal e argëtim. Gjithçka përmblidhet në rutinën dhe ankthin e shtyrjes së ditëve deri në… ëndrrën për shpëtim nga jeta lodhëse.
Mëngjes e mbrëmje, banorët e këtij qyteti i shikon duke dremitur e biseduar mbi trotuare, të përhumbur në lojëra të tejzgjatura dominoje e letrash, në lokalet e vakët e të shumtë të qytetit, pa harruar pjesën që “ngushëllohet” me xhirot formale të mbrëmjes në bulevardin e vogël e të heshtur të qytetit. Në qytetin tim Memaliaj, nuk ka dallim social, nuk ka ndarje në të “pasur e të varfër”, sepse pothuajse të gjithë familjet gjenden në udhëkryqin e mbijetesës. Afro 200 familje jetojnë në ish-konviktet e minierës në kushte mizerje. Tej çdo përfytyrimi të lejueshëm, shumë familje vazhdojnë të jetojnë ende në shtëpi përdhese prej kallami e balte, ndërtuar 60 vite më pare. Ende ka familje minatore të pastreha. Të vetmit që figurojnë në punë janë mësuesit, të cilët i përshendes për punën e shkëlqyer që bëjnë me nxënësit. Janë ata pak policë, mjekë, elektricistë, punonjës gjelbërimi, infermiere, faturistë, roje dhe punonjësit e bashkisë… Po të tjerët? Përjetojnë dhe përballojnë dhimbjen e varfërisë me punë kalimtare dhe me mundësi që nuk u garantojnë jetë normale e të sigurt.  Po më tej. çfarë do të bëhet me qytetin dhe me njerëzit e qytetit tim…?!
Të Shfaqura: 2 Komente
Ja cfarë kënë thënë
  1. Flamuri thotë:

    Ke thene realitetin e jetes ne Memaliaj, qe ngjan vertete me nje geto ku merr fryme formalisht nje turme njerezish qe dhane rinine dhe shndetin e tyre per minieren dhe moren si shperblim braktisjen. Une kam shkuar disa here ne Memaliaj edhe kur ishte gjithe gjalleri edhe pas mbylljes se minieres se kam patur lidhje pune dhe eshte keshtu sic e pershkruan ti e nderuara Ervjola. Pena jote e ka pershkruar me vertetesi jeten e atyre njerezve te katandisur ne pike te hallit qe luten e pergjerohen per buken e gojes. Te lumte Erviola, nme sa kuptova ti ke edhe dashuri edhe dhimbje per qytetin tend.

  2. linda thotë:

    nje tabllo e dhimbshme …po shume e vertete