Braçe: Berisha po shet shtetësinë për para e vota, në 95 ua dha terroristëve !
Vendimi i fundit i kryeministrit Sali Berisha, që mund t’i jepet nënshtetësia çdo shtetasi të huaj që do të investonte në Shqipëri 100 mijë euro, ka sjellë reagime të shumta në publik e më gjerë. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, e quan këtë akt një shitje të pastër të nënshtetësisë shqiptare. Ai thotë se çdo kriminel në botë, serb e grek, mund të blejë nënshtetësinë shqiptare. Me këtë rast Braçe kujton precedentët e kaluar të Berishës kur ishte president, kohë kur morën shtetësinë shqiptare disa persona që kërkoheshin për terrorizëm në botë. “Sali Berisha vendosi: shtetësia shqiptare në shitje! Çmimi 100 mijë euro për person! Ky është kulmi dhe nuk mund t’ia bënte Shqipërisë një shqiptar! Kurrë! Pra për Sali Berishën: shtetas shqiptar mund të bëhet edhe një serb, edhe një maqedonas, edhe një grek, edhe një turk, italian, francez, pra edhe një egjiptian etj, që ka 100 mijë euro, pavarësisht kombësisë që ka, pavarësisht të shkuarës kriminale apo jo që ka, pavarësisht burimit kriminal apo jo të 100 mijë eurove të tij! Kur e dëgjova këtë mu kujtua se: në vitin 1995 Sali Berisha u dha shtetësinë shqiptare anëtarëve të celulës islamike të Xhihadit, të gjithë të kërkuar në Egjipt e disa shtete të tjera për terrorizëm! Ky, Sali Berisha ju dha identitet të ri! Kjo që Sali Berisha po i bën Shqipërisë e shqiptarëve është e pashembullt! Për para! Për ca vota më shumë në 2013!”, shkruan Braçe në profilin e tij në Facebook.








