Publikuar më: 18 Mars, 2012

“Dogana”, 4 në pranga për kontrabandë

Katër persona, mes të cilëve një doganier, janë arrestuar në Vlorë për kontrabandë mallrash.

Operacioni i policisë i koduar “Dogana” ka vënë në pranga inspektorin e doganës Eduard Veizaj, 41 vjeç, si dhe Klevis Brahimaj, 19 vjeç, Artan Brahimaj, 23 vjeç dhe Florjan Brahimaj, 24 vjeç.

Sipas policisë, të katërt këta persona, në bashkëpunim me njërit-tjetrin kanë sjellë dhe kanë kaluar kontrabandë një sasi të konsiderueshme mallrash për të cilat paguhet akcizë, më konkretisht:
• 96 shishe verë (të markës ”Soloperto Manduria”);
• 20 pako (1 Kg) kafe;
• 5 koli me nga 6 (gjashte) bidona si ato të ujit 1.5 L
• Si dhe një sasi medikamentesh të ndryshme

Mallrat fillimisht janë sjellë nëpërmjet pikës doganore portuale Vlorë të fshehura në një kamion, për të cilin inspektori Vizaj “ka mbyllur njërin sy” e më pas ato janë nxjerrë nga kamioni dhe janë transportuar me automjetin tip Mercedes-Benz me targa VL 0565 D, të drejtuar nga Klejvis Brahimaj dhe Florjan Brahimaj, të cilët pas ndjekjes së bërë nga shërbimet e policisë janë kapur në flagrancë në afërsi të banesës së tyre.

Gjithashtu, nga kontrolli i kryer në banesën e këtyre shtetasve janë gjetur dhe sekuestruar edhe një tjetër sasi vere e konsiderueshme të markave të ndryshme të papajisura me pullën fiskale, e cila dyshohet se është kontrabandë.

Mallrat e kontrabanduara dhe mjetet e përdorura për kontrabandimin e tyre janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Vlorë për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë“, “Tregtimi dhe trasportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.