Reeker : Qeveria nuk ka respekt për ligjin dhe fsheh problemet
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Filip Riker, i cili mbajti fjalimin kryesor në punimet e djeshme të Forumit Ekonomik mbi Evropën Juglindore, organizuar nga departamenti i Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit ‘Johns Hopkins’, u ndal tek nevoja e forcimit të shtetit ligjor si parakushti më i rëndësishëm për të tërhequr kapitalin e huaj. “Pa institucione të forta, pa respekt për ligjin, kapitali do të zgjedhë rajone të tjera larg Evropës Juglindore”. Zyrtari amerikan thekson se Shqipëria nuk mund t’u fshihet problemeve dhe se sigurimi i statusit të vendit kandidat në BE kërkon përpjekje të mirëfillta dhe suksese të matshme: “Bashkimi Evropian ka parashtruar 12 kritere ku Shqipëria duhet të përqendrohet për të ndrequr problemet. Ka plot raporte ndërkombëtare që pasqyrojnë problemet sidomos lidhur me shtetin ligjor dhe sistemet rregullatore të nevojshme sidomos për të tërhequr investime të huaja”.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Riker thekson se nevojiten ndryshimeve si institucionale, ashtu edhe punë në zbatimin e këtyre reformave që ato të japin rezultatin e synuar – një vend më të qëndrueshëm, më të begatë me mundësi për të gjithë banorët.
Ish-Kryeministri i Shqipërisë Ilir Meta u ndal në fjalën e tij në përparimin e bërë në shkurtimin dhe thjeshtëzimin e procedurave për hapjen dhe regjistrimin e bizneseve të reja në Shqipëri. Në këtë frymë, zoti Meta prezantoi edhe përpjekjet e qeverisë në procesin e privatizimit si themeltar për të tërhequr kapitalin e huaj.
Një nga sfidat e ekonomisë së Shqipërisë aktualisht, shprehet zoti Meta është rritja e kapacitetit eksportues. Deri tani vendi ka qenë kryesisht i përqendruar tek rritja e konsumit të brendshëm, por ka ardhur koha për të parë potencialin dhe mundësitë që rritja ekonomike të orientohet drejt shtimit të eksporteve.
Tërheqja e kapitalit të huaj për Vendet e Evropës Juglindore shoqërohet edhe me sfida të tjera. Përvoja botërore tregon se vendet me tregje të mëdha tërheqin më shumë investime të drejtpërdrejta se vende me tregje më të vogla. Por një tjetër indeks i rëndësishëm për kapitalin e huaj janë edhe ritmet e rritjes ekonomike, që e bëjnë këtë rajon mjaft me interes për investitorët ndërkombëtarë. Zoti Meta vuri theksin tek nevoja për bashkëpunim rajonal për ta bërë Evropën Juglindore sa më tërheqëse për kapitalin e huaj:
“Për këtë arsye duhet të punojmë ngushtë me njëri-tjetrin dhe të krijojmë një strategji të përbashkët. Në këtë drejtim është bërë përparim i madh jo për të rritur konkurrencën mes vendeve të rajonit por për të shtuar kapacitetet konkurruese të gjithë rajonit, përndryshe kapitali do të gjejë tregje të tjera me interes”./VOA







