Publikuar më: 20 Maj, 2012

Skandali/ Imami i bën tenderat deri në vitin 2018 !

Ministria e Mbrojtjes do të zhvillojë në qershor tenderin për blerjen e uniformave ushtarake me një vlerë prej 1, 4 miliard lekë. Përmes procedurave të hapura elektronike, dikasteri i Mbrojtjes ka hapur tenderin për blerjen e uniformave ushtarake për shtatë vitet e ardhshme.

Tenderi

Fondi total do të jetë 1.434.412.675 lekë për një afat shtatë  vjeçar 2012 – 2018. Sipas dosjes që “Shekulli”disponon, për vitin aktual parashikohet blerja e rreth 2 mijë uniformave për 900 ushtarakët e lartë të tre komandave të ushtrisë. Kompletet e plota do të jenë për kostume të punës së përditshme të tyre dhe për kostumet e ceremonialit. Për gradat e ulëta, numri i uniformave që do të blihen do të jetë më i ulët, rreth 1200 uniforma për 600 oficerë. Duke e konsideruar të një rëndësia imediate, administrata ka të përcaktuar në planin e përgatitur blerjen e kompleteve të uniformave për 69 pjesëtarët e orkestrës frymore të ushtrisë. Kompletimi i ushtrisë me uniformat e reja është parashikuar që të ndodhë në vitin 2018 ku edhe sasia e blerjes së veshjeve është parashikuar që të jetë më e madhja mbi 8 mijë komplete.

Kontrolli

Në një kohë që Ministria e Mbrojtjes është duke zhvilluar procesin e blerjes së uniformave të reja, Kuvendi ka ngritur grupet e punës për të hetuar veprimtarinë e këtij dikasteri  për zbatimin e ligjit. Grupet e punës do të hetojnë në Ministrinë e Mbrojtjes:1. Kontrolli i zbatimit të ligjit ‘Për gradat në FA në RSH’ në procesin e gradimeve të bëra nga ministri i Mbrojtjes në vitet 2010-2012; 2. Argumentet e paraqitura nga Ministria e Mbrojtjes për ndryshimet strukturore që janë bërë dhe pritet të bëhen për organizimin e FA në vitet 2010-2012; 3. Përgatitja e paketës ligjore për funksionimin në kuadër të mjedisit të ri gjeopolitik të krijuar në Shqipëri pas anëtarësimit në NATO.  Një prej grupeve do të mbikëqyrë veprimtarinë e ndërmarrjes “MEICO” dhe administrimin e fondeve që rrjedhin prej këtij aktiviteti, nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo ndërmarrje është krijuar në vitin 1991 me vendim qeverie dhe merret me importim të mallrave të karakterit ushtarak, si dhe eksporte të mallrave ushtarakë të reja dhe stoqeve të Ushtrisë Shqiptare, si dhe të prodhimeve të industrisë ushtarake.

Imami: Për 100 vjetorin e Pavarësisë, uniforma të reja

Pavarësisht se është duke blerë uniforma të reja për të kompletuar ushtrinë, forcat tona të armatosura do të përballen me shkurtime drastike. Reforma në Ministrinë e Mbrojtjes do të heqë brenda dy vitesh rreth 1750 ushtarakë nga puna. Reforma do të ndahet në dy pjesë ku 735 ushtarakë do të largohen nga puna, ndërsa pjesa tjetër në janar të vitit 2013. Ky fakt është pohuar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë për çështjen e buxhetit më 22 nëntor 2011.  Në shifrat e buxhetit të vitit 2012, Ministria e Mbrojtjes pranoi që kishte ulje të fondit të pagave dhe Ulja e fondit të pagave do të sjellë largimin nga puna 735 punonjës duke e çuar numrin e përgjithshëm të Forcave të Armatosura në 11 mijë vetë. Sipas treguesve të buxhetit të kësaj ministrie, buxheti në total do të jetë rreth 20 miliardë lekë duke u rritur me 289 milionë lekë. Gjatë raportimit Ministri Imami pranoi problemet në veshjen e ushtrisë me uniforma, duke e justifikuar me kursimin e buxhetit. Por sipas tij situata do përmirësohet duke filluar nga viti i ardhshëm ku ushtria do të ketë veshjet e reja. Ministri Imami lajmëroi edhe rreshtimin e ushtrisë për 100 vjetorin e pavarësisë. “Nuk po them se s’kanë mungesa në veshje. Edhe pse u investua, por meqë kemi menduar se do shkojmë me uniformën e re, kemi dashur që të mos bëjmë shpenzime të panevojshme. Por në 2012, uniforma e re do të futet. Shpresoj se një pjesë jo e parëndësishme do të mund të rreshtohet me uniformat e reja”,është shprehur ministri Imami gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. .

Shekulli