Publikuar më: 14 Korrik, 2012

Beteja për gjobat, Flamuri sher me Lulin

Ministria e Brendshme ka hartuar një udhëzim për mënyrën e vendosjes së gjobave ndaj automjeteve të parkuara pa shofer ose në mungesë. Ky udhëzim i muajit qershor I firmosur nga zv.ministri Avenir Peka duket se disiplinon sidomos gjobat e vëna nga policët e Policisë Bashkiake në Tiranë pasi imponon një sërë procedurash të cilat detyrojnë policët bashkiakë dhe policët e Policisë Rrugore që ti ndjekin pa kushte. “Në rastet e konstatimit të shkeljeve të normave të qarkullimit në mungesë të drejtuesit të mjetit, punonjësi i policisë njofton menjëherë sallën e drejtimit, koordinimit të emergjencave sipas juridiksionit territorial, duke i raportuar këto të dhëna: tipin, targën e mjetit, vendndodhjen, shkeljen e konstatuar, duke specifikuar sinjalistikën rrugore ekzistuese, numrin e serisë së procesverbalit të konstatimit që do të plotësojë; plotëson procesverbalin e konstatimit dhe një kopje e vendos në xhamin e mjetit”, – shkruhet në udhëzimin e ri. Pasi merr të dhënat nga polici në rrugë, punonjësi i shërbimit të sallës së drejtimit, në rastet kur marrin njoftim për konstatimet e shkeljeve , plotëson menjëherë të dhënat e marra në një regjistër të modeluar posaçërisht, ndërsa regjistri duhet të plotësohet në mënyrë kronologjike për çdo rast të raportuar. “Mosplotësimi në kohë dhe saktë i regjistrit përbën shkelje të rendë disiplinore dhe ndaj personave përgjegjës të fillojë ecuria disiplinore në bazë të Rregullores së Disiplinës së Policisë së Shtetit”, shkruhet në udhëzim.

Përplasjet
Pas kalimit të disa kompetencave nga Policia Rrugore drejt Policisë Bashkiake mes dy institucioneve ka patur një “luftë të nëndheshme”. Nga ana tjetër mësohet se kjo situatë mes dy policive vazhdon prej më shumë se një viti. Në këtë periudhë kohore Ministria e Brendshme nga ana e saj ka marrë disa sinjalizime për veprime arbitrare të policëve bashkiakë në vënien e gjobave apo marrjen e automjeteve me karroatrec. Madje në shumë raste drejtues të lartë të ministrisë janë informuar se një pjesë e policëve bashkiakë e kanë kthyer thuajse në një biznes privat sistemin e gjobave selective ndaj automjeteve të parkuara. Nisur nga kjo situatë ministria është detyruar të nxjerrë këtë udhëzim për të përcaktuar edhe procedurën e vendosjes së gjobave, por edhe për të garantuar njoftimin në kohë të shoferit të automjetit.

Njoftimi
Ky udhëzim detyron policinë bashkiake dhe policinë rrugore që në çdo rast të dokumentojnë dhe raportojnë në kohë reale çdo të dhënë, rrethanë dhe motiv mbi vendosjen e gjobës apo zhvendosjen e makinës, por si detyrë funksionale e policit do të jetë administrimi në dosje i fletë-njoftimit me postë për gjobën për pronarin e automjetit. Madje nëse nuk sigurohen se pronai I automjetit është njoftuar për gjobën, policët do të marrin penalitete. Policia Rrugore e Tiranës prej disa nuk ka kryer asnjë zhvendosje automjeti me karrotrec. Kjo e drejtë shërbimi i ka kaluar Policisë Bashkiake. Ky kalim duket se ka rritur detyrimet e qytetarëve që parkojnë keq apo zënë hapësirat publike me automjetet e tyre. Ata tashmë do të përballen me sanksione më të ashpra se sa më parë. Kostoja e heqjes së këtij shërbimi nga Policia Rrugore reflektohet në ashpërsimin e masave ndaj qytetarëve kundërvajtës që kanë në përdorim një automjet.