Publikuar më: 27 Korrik, 2012

Sistem drejtësie që vret më keq se kriminelët

 Anila Çobani

Do të doja që sot me revoltën që më zjenë shumë ballesh përbrenda, t’i drejtohesha përfaqësuesve të KE në Shqipëri, ambasadorit Amerikan dhe kujtdo tjetër që me përpjekjet diplomatike të tyre mundohen të bëjnë diçka për këtë vend. Për këtë vend që jo vetëm ka humbur orientimin europian, por rrezikshëm ndodhet në një udhëkryq dhe tulatet i plagosur nga goditjet dhe rrënimi ekonomik, shpirtëror dhe human. Do të doja shumë t’iu kërkoja siç e kam bërë dhe herë të tjera,ndihmën time si nënë,si grua,si intelektuale,për të bërë të mundur që çështjen që unë (tashmë mbushet 1 vit) po ndjek kundër një përfaqësuesi te administratës së sotme shtetërore, t’a bej të mundur të më zbatohet ligjërisht në pallatin e frikshëm të drejtësisë shqiptare. Por sot nuk po e bëj! Nuk dua t’ju përcjell juve trishtimin dhe revoltën e një qytetareje që nuk mundet dot as të zhvillojë një seancë të vetme gjyqësore për të vendosur të drejtën e shkelur brutalisht jo në rrugë,jo në familje, por në zyrat e një shteti pa emër. Them pa emër se nuk do të doja t’i them shtet shqiptar,sepse shqiptarët janë një popull vital, inteligjent,shpirtmadh dhe luftarak. Shqiptarët kanë treguar në shekuj se dinë të bëjnë shtet,se dine të bëjnë drejtësi! Ndaj dhe unë sot vendosa t’u drejtohem pikërisht atyre,shqiptarëve të mi vitale! Sot në Gjykatën e Tiranës u zhvillua seanca e radhës kundër të pandehurit,xhelatit të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxha. Si në të gjitha herët, xhelati, ky burracak me uniformën e Policisë Bashkiake nuk u paraqit në seancë,me pretendimin se ishte një avokat në emër të tij, dhe kërkesën e xhelatit e miraton ai që pretendohej se ishte pala jonë në Gjykatë. Prokurori! Dhe ishte përsëri avokati që kërkon gjykim të shkurtuar,dhe ishte përsëri prokurori që miratonte çdo kërkesë të avokatit të xhelatit. Deri këtu nga ana procedurale si dhe nga ana ligjore, çdo gjë është OK. Por,kur prokurori lexon mbrapsht padinë tonë,lexon nëpër dhëmbë tre rreshta të pakuptueshëm, dhe nuk paraqet në seancë asnjë provë (e dhënë nga ne dhe kolegët tanë),asnjë material filmik e vënë në dispozicion nga mediat ditën e ngjarjes,çdo gjë kthehet në farsë. Kthehet në një seancë ku viktima (megjithëse s’do të doja kurrë të isha në këtë pozicion) kthehet në një pre! Pre e institucionit të cilit viktima i ka besuar jetën,dinjitetin,dhe mbrojtjen. Dhe në momentin kur dëgjoja gojëhapur unë dhe kolegia ime,tjetërsimin e fjalëve tona  në referencat e prokurorit, nëpër mend me kalonin qindra e mijëra shqiptarë të dëshpëruar që u kanë besuar jetën,pasurinë,dinjitetin,të ardhmen,të tyren dhe fëmijëve, pikërisht këtyre përfaqësuesve të organit të akuzës .Në mend më kalonin dhjetëra seanca të dështuara me kriminelë e hajdutë,me vrasës e te korruptuar,ku në emër të procedurave dhe ‘’fakteve të munguara’’,viktimat kthehen në pritësin çudibërës të tre ditëve. Është ajo shprehja çudibërëse që hataja me e madhe tre dite zgjat,dhe viktima harron! Dhe shqiptarët harrojnë! Unë jam shqiptare! Unë jam nënë shqiptare,dhe kam vendosur të mos harroj! Kam vendosur t’i shkoj drejtësisë deri në fund, e pademoralizuar, e paepur. Prandaj iu bëj thirrje sot të gjithëve,Avokatit të Popullit,Shoqërisë Civile. Mos i braktisni Shqiptarët !! Qëndroni pranë në çdo përballje të tyre me shtetin. E them në përballje me shtetin, pasi prokurorë,gjyqtarë,tani e besoj fort këtë,janë nën tutelën kriminale dhe nën presionin politik të një shteti që shemb! Shemb ëndrrat dhe jetën e shqiptarëve!
Sot iu bej thirrje Shqiptarëve të mi të mos ulin kokën,të mos mpakemi nga dora kriminale që ka zaptuar këtë vend. T’a refuzojmë të keqen! Numërimit mbrapsht po i vjen fundi. Të bëhemi njësh,të shporrim njëherë e mirë nga jeta jonë e përditshme,nga jetët tona dhe fëmijëve tanë këta oktapodë mizorë dhe kriminalë që na shkakton dhimbje,humbje dhe revoltë! Jemi popull që meritojmë shumë. Është turp i madh për ne që të pranojmë të ulim shpinën para një shteti mizor dhe injorant që ka paralizuar një sistem të tërë drejtësie duke e kthyer në një sistem mizor dhe kriminal. Imuniteti është hapi i fundit. Imediat është shporrja dhe shkërmoqja e këtij sistemi dhe kësaj qeverie të pashoqe në Europë. Në Europë jo e jo,por të pashoqen në Ballkan! Numërimit mbrapsht po i vjen fundi,por unë nuk do t’a pres atë ditë,që bashkë me Shqiptarët e mi,me votë,të shpëtojmë nga më i keqi oktapod shtetëror. Unë do vazhdoj të luftoj!

 

Të Shfaqura: 1 Koment
Ja cfarë kënë thënë
  1. ben thotë:

    Ke te drejte,me thirrjen qe ben,por eshte i pa mundur reagimi qe presim si shoqeri.Korrupsioni ne Shqiperi eshte ne majen me te larte,nuk ka ku te shkoje me,jane te kapur te gjithe,drejtesia eshte ne nivelin zero.Por mbi te gjitha,na ka humbur morali,integriteti,nuk ka me njerez me parime,dhe integriteti,edukata e njeriut nuk krijohet me nje tak-fak,por eshte proces i gjate shoqeror,familjar etj.Ju tani fatkeqesisht,shkoni neper gjykata.Shikoni ambjentin,gjyqtarin,avokatin,prokurorin,njerez pa asnje lidhje me profesionin qe ushtrojne,primitive ne pamje,primitive ne edukate,primitive ne sjellje.Keto ,me te tyren,jane arsimuar(e dime si arsimohen,shume nuk kane perfunduar shkollen e mesme)veshin nje kostum,dhe hajde mbaje pastaj.Por si puna e ketyre eshte gjithe administrata(shko nje here ne bashkine e Tiranes,cfare do shohish,pushtim egersirash),nuk ku ta kapesh,injoranca ne piedestal.Me pelqen optimizmi juaj per shprese,por me duket e kote.Me keto qe kane pushtetin,eshte e tmerrshme dhe pa konceptueshme te behet shteti.