Publikuar më: 29 Gusht, 2012

Sali Lusha, vëllain ta vrau Ilir Meta, ai që ha me Berishën….

Sali Lusha deklaroi sot ne nje interviste ne media se atij i kane vrare edhe vellane dhe nuk do kursente as djemte e tij te vriteshin per shpirtin e Partise Demokratike dhe te baces Sali. Por Lusha harroi t’i shpjegonte lexuesve dhe shqiptareve se kush ia vrau te vellane….Pikerisht njeriu qe ha dhe pi 24 ore ne dite me bacen e tij per te cilin jep jeten. Behet fjale per Ilir Meten ne kohen kur ishte kryeminister dhe vrau dy vete ne Tropoje, se donin te merrnin komisariatin me dhune. Por Lusha jo rastesisht e anashkalon kete teme duke permendur vellane. Mbase qellimi ka qene qe indirekt t’i thote dhe Ilir Metes se mund te behen perseri armiq. Por Sali Lusha harron se eshte bere gjithnje viktime e politikes dhe tashme ka damken e kriminelit, pasi eshte arrestuar kushedi sa here edhe per dhune ndaj institucioneve dhe policise dhe krime te renda….
Intervista ne Gazeten Shqiptare

Ai jep dhe shpirtin për Partinë Demokratike. Na duket e çuditshme por flet me aq shumë dashuri e idealizëm, sa na bën vërtet të mendojmë kështu. Ish-badigardi i kryetarit të partisë më të madhe të djathtë, Sali Berisha vjen në një rrëfi m interesant për Gazetën Shqiptare duke folur që nga momentet e vështira të vitit 1997, vrasjen e Azem Hajdarit, shokët e burgut, politikën…

Në cilin vit keni lindur?
Më 1955 në Tropojë, në një familje të madhe ku ishim 3 vëllezër e pesë motra. Ku punonin prindërit aso kohe? Babai punonte në ndërtim, nëna në bujqësi ndërsa unë vetë si sportist që isha punoja si punëtor i stadiumit.

Me çfarë sporti merreshe?
Kam qenë portier i ekipit të Tropojës në futboll, në vitet 1972 për tu rikthyer pas ushtrisë në vitin 1975-1978. Atë kohë Tropoja ishte në kategori të dytë.
I burgosur në kohë të Enverit, pse?
Për biseda që kisha bërë me shokë për arratisje të mundshme. Atëherë i inskenonin si ti donin situatat, e me motivin tentativë për arratisje më dënuan 8 vjet nga të cilat bëra 6. Pastaj më internuan në Kote të Vlorës vetëm mua, jo familjen nga viti 1984 deri në vitin 1988. Aty lindi dhe Arkimedi, djali im i vogël. Disa më muaj pas më arrestuan përsëri dhe u fala në vitin 1991.
Kishit frikë?
Unë i tillë kam qenë që 15 vjeç e po ti shohësh këto tatuazhe që i kam bërë në burg, që atëherë kam shkruar fjalën liri.
Po prindërit?
Sigurisht që ata shqetësoheshin, megjithatë edhe ata mendonin si ne djemtë, e donin lirinë.
Kur erdhe me familjen në Tiranë?
Ka qenë viti 1993.
Kush ju rekomandoi në Gardë, punë të cilën e nisët më 1994?
Miqtë e mi, normalisht. Punova në kompani operative për mbrojtjen e personaliteteve. Shkoni shpesh në Tropojë? Po shkoj shpesh se aty kemi ende kullën tonë, varrezat pranë shtëpisë, ku kam nënën e vëllain.
Pse ju ka vdekur vëllai?
Vëllain ma kanë vrarë më 28 nëntor 2000 në Tropojë gjatë mitingut që po organizonte Partia Demokratike. Ai ishte në mes të turmës dhe u gjuajt nga snajperi. Po atë ditë kanë arrestuar pa asnjë motiv djalin tim Reneon dhe çunin e xhajës dhe i kanë sjellë me helikopter në Tiranë, duke i penguar të jenë në varrim.
Kush e vrau vëllain tuaj, dihet?
Jo ai u vra, dosja u mbyll e sot e kësaj dite nuk dihet kush ka qëlluar. Sigurisht që ata që gjuajtën ishin nga dega e brendshme e sot, me siguri që 90 për qind e tyre, vazhdojnë ende të jenë pjesë në strukturat e shtetit.
Si e kishte emrin vëllai juaj, ishte i martuar dhe pse pikërisht ai?
Syla, vëllai im ka qenë njeri i qetë dhe s’ngatërrohej me askënd, por ai njësoj si ne, kishte një dashuri të madhe, adhuronte e bëhej copë për Partinë Demokratike. Ditën e vrasjes ai ka qenë i mbështjellë me një flamur të PD-së dhe flamurin kombëtar meqë ishte festa e 28 nëntorit. Syla u vra vetëm se ishte aktivist i PD-së. Ai ishte i martuar e kishte dy fëmijë dhe në ato kohë kishte vetëm pak javë që kishte dalë nga burgu.
Po pse ishte në burg?
Të tre ne vëllezërit pas 14 shtatorit 1998 u arrestuam. Unë bëra gati dy vjet burg një herë 1.4 vjet dhe një herë 7 muaj, vëllai tjetër i imi u akuzua për krime kundra njerëzimit.
Kur ndodhi kjo ngjarje prindërit gjallë ishin?
Nëna më kishte vdekur ndërsa baba, Shabani, edhe sot e kësaj dite është gjallë, është 94 vjeç dhe mbahet mirë.
Po si reagoi kur humbi një nga djemtë?
E kam parë në video varrimin e tim vëllai, sepse unë s’isha, e më kujtohet baba kur u takua me Pjetër Arbnorin i tha; Edhe dy çunat e tjerë po të më ishin vra për PD-në s’do e kisha problem. Juve mund t’ju duket çudi, por ne jemi idealistë.
Pse nuk ishit në varrimin e vëllait?
Isha në burg. Sigurisht që u trondita nga lajmi dhe kërkova leje për të qenë në varrim, por leja mu refuzua. Drejtori i atëhershëm i burgut, Gramoz Xhaferri më tha që për të, mund të ikja, por nuk e lejonin ata që ishin sipër tij. Leje për të tilla raste kishte marrë edhe Zani Çaushi e të tjerë, ndërsa mua mu refuzua.
Kishte pjesëmarrje të gjerë në varrimin e tij, meqë e keni parë edhe videon?
Po kishte shumë deputetë të Partisë demokratike, Pjetër Arbnori, Pal Dajçi, Azgan Haklaj, madje dhe të nesërmen në Tiranë u mbajt një tubim paqësor në lidhje me këtë ngjarje, vrasjen e vëllait tim.
Në burg kishit probleme, bëtë miq?
Në burg kam njohur çuna të mirë, Gaxhain, Viktor Ymerin, hanim bukë bashkë. Vëllai im ka qenë me Zanin… Kurrë s’kemi pasur probleme.
Mbani kontakte ende me ta?
Po mbaj kontakte, kam takuar edhe prindërit e tyre. Ato çuna u dënuan si ushtarë të PD-së, lëri çfarë thonë që kanë vrarë e kanë bërë, se asnjë provë s’kanë të gjitha janë të inskenuara.
Kur dolët nga burgu, çfarë bëtë?
Nga burgu dola në vitin 2001 dhe me të dalë u largova në Belgjikë ku kërkova strehim politik.
Si shkuat atje?
Shkova me skaf nga Vlora. Miq të mi më përcollën dhe bënë çdo gjë gati. Skafi ishte shumë i madh dhe në të ishim vetëm unë, familja ime dhe dy miq të mi. U nisën vetëm për mua.
Paguat para?
Jo nuk pagova, ishte respekt që më bënë shokët e mi.
Me të sosur në Belgjikë çfarë bëtë?
Kërkova strehim politik që na u miratua menjëherë dhe u vendosëm në Anderlet. Fëmijët nisën të shkonin në shkolla për mësimin e gjuhës, ishte e domosdoshme për tu integruar.
Po ju punuat?
Jo nuk punuam, jetonim me socialin.
Po sot jetoni këtu apo atje?
Jetoj mes dy vendeve. Atje shkoj shpesh çdo dy-tre muaj.
E keni më policinë private?
Jo, jo, nuk e kemi më.
Fëmijët janë rritur, sa u bë më i madhi?
Vajza është 33 vjeç dhe ka një vajzë 15 vjeçe, Reneo, është 32 dhe ka një vajzë të vogël, ndërsa Arkimedi (Stresi) është më i riu. Pra jam gjysh dy herë.
Pas azilit që kërkuat në Belgjikë, kur u kthyer për herë të parë në Shqipëri?
Jam kthyer dy ditë para zgjedhjeve të 2005. Erdha të votoja familjarisht dhe isha i bindur që do të fitonte PD-ja. Kur u kthyem i ramë nga Lubjana. Nuk i kisha thënë njeriu që do vija përveç një shoku. Nuk doja më peripeci sepse e dija që sapo ta merrnin vesh, do merreshin sërish me mua. Por spiunët janë gjithandej. Në Lubjanë teksa merrja avionin për në Podgoricë pashë dy tipa që i njihja si të tillë, të droguar. E kur mbërrita në kufi, nuk kalova postën, por i rashë nga shinat e trenit, sepse ato të dy me siguri që kishin dhënë informacion.
Po pse ju vunë kaq shumë nga pas?
Ndoshta atë koncept kishin krijuar për mua, nga një grup thashethemexhinjsh e intrigantësh që shpifnin kundra meje e që janë brenda PD-së. Por s’dua të flas, sepse ua kam thënë në sy dhe as kokën nuk e ngritën për të më parë, sepse s’mundeshin. Ata na kishin aq shumë borxhe, sa donin të na largonin, por koha e tregoi se ato ishin vetëm shpifje e trillime.
Pra me sa po kuptojmë, janë brenda PD dhe në pozita, deri sa kanë pasur kaq shumë në dorë?
Janë edhe në rang ministrash, por që si lidh asgjë me PD-në, ndërsa mua më lidh gjaku i derdh, mundi e djersa e 22 viteve.
Po marrëdhëniet me Sali Berishën e me PD-në rrjedhimisht janë të ngrira?
Unë shkoj në çdo aktivitet të Partisë Demokratike.
Pse kaq mllef?
Kur ai ishte Ministër më kanë arrestuar 3 herë vetëm për bujë, sepse po të kishin argumente e prova nuk do të dilja pas disa orësh. Ai nuk ka fytyrë të më shohë mua në sy, se unë i kam fëmijët sa ai, të krijojë ai opinion të keq për mua, por mua më njohin të gjithë demokratët, e dinë kush është Sali Lusha.
Jeni grindur me të?
Absolutisht jo, madje djali dhe vajza ime kur ai ka qenë në krye të forumit rinor të PD, ishin pjesë e kësaj strukture, madje e kam ndihmuar dhe ai e di mirë këtë gjë. Por ato donin të na largonin që të bënin çdo gjë me PD-në. E nëse PD-ja do bie në dorë të tij, do jetë si fermë. Atë, e mbaj mend që në ’97, kalonte nga Kalaja e s’ju afronte selisë së PD-së, ndërsa unë me miq e me shokë e kemi mbrojt jo vetëm partinë por edhe Tiranën, e të dalë ndonjë të thotë që Sali Lusha na ka keqtrajtuar. Në gjyqin tim për 14 shtatorin, dëshmuan 50 polic të cilët konfirmuan se unë i kisha mbrojtur gjatë revoltës e jo i kisha dhunuar.
E meqë jemi te viti 1997, furgonë me militantë të PD-së dilnin natën e rrihnin njerëz, kështu kemi dëgjuar, mes tyre dhe Edi Ramën?
E kam dëgjuar edhe unë këtë gjë por nuk e besoj. Ato ishin inskenime për të ngritur popullin në revoltë. Unë kam qenë vetë me shërbim në atë kohë dhe kurrë s’kam vënë maskë, kapuç. Kam qenë në Qafën e Koshovicës, në Vlorë brenda mes rrëmujave, e s’kam pasur kurrë probleme. Madje edhe kur shihnim ndonjë burrë të shoqëruar me gruan, nuk e kontrollonim, merreshim vetëm me ata që na dukeshin tipa të dyshimtë. Në Tepelenë na kanë mbajtur me bukë banorët e jo siç përflitej, që i urrenin gardistët, tropojanët… Ata shfrytëzuan piramidat për të krijuar ’97 e zhdukën çdo gjë, sepse me ato asete që kishte Vehbi Alimuça do i kishte larë gjithë njerëzit pa problem, por ata, donin pikërisht ’97.
Keni vrarë njeri?
Kurrë.
Keni hasmëri?
Nga Tropoja në Sarandë, kam vetëm miqësi, asnjë hasmëri.
Keni pasur ndonjëherë frikë për familjen?
Absolutisht jo. Madje si dëshmitar kyç në vrasjen e Azem Hajdarit, prokurorja norvegjeze Frigard, më propozoi azil atje dhe marrjen nën mbrojtje të familjes time nga policia, por unë nuk pranova. Ajo u habit.
Marrëdhëniet tuaja me Azem Hajdarin?
Jam le e rrit me Azem Hajdarin. Në vitin 1992 u ritakuam pasi unë dola nga burgu politik për tentativë arratisjeje. Por familja ime i mbante marrëdhëniet me të dhe PD-në.
Deri në çastet e fundit të vdekjes me të?
Po deri në fund të jetës së tij. Me duart e mia e hipa në makinë për ta çuar në spital.
Po kush e vrau Azem Hajdarin?
Eeee histori më vete, por, kush mori pjesë në atë atentat e ka marrë dënimin.
Merrej Azemi me kontrabandë?
As kontrabandë, asgjë. Azemin e vranë strukturat e shtetit ku morën pjesë dhjetëra policë të Tropojës. Dy furgonë policie me njerëz të veshur me uniforma erdhën në Tiranë për ekzekutimin, e sot me siguri mund të jenë ende në punë.
Si janë marrëdhëniet me bashkëshorten e tij?
Shkoj gjithmonë për përvjetorët e Azemit dhe kur takohem me të e fëmijët flasim me mall.
Jeni kaq shumë demokrat, po Sali Berishën që ka pasur dhe teserë partie s’ju bën përshtypje kjo gjë?
Ai regjim ishte atëherë, ajo ishte veç një copë letër. Ndryshe është ta mbaje në xhep e ndryshe çfarë kishe në zemër.
Sakrifikoni çdo gjë për Berishën?
Partia Demokratike dhe Sali Berisha po të kenë një rrezik sot, mua më kanë te këmbët, mua dhe miqtë e mi. Vota ime s’ka për të shkuar asnjëherë në vend tjetër, madje kam votuar edhe për in, vetëm se ishte nën siglën e PD-së, dhe ia thashë; Mos e gëzofsh votën time. Mua s’mund të më ndajnë këto njerëz nga PD. Edhe në varrin e vëllait tim është një flamur shqiptar dhe një i PD. Hipotekën e PD-së e kam unë, këto e kanë bërë me mbivendosje prone.
Po me Sali Berishën kur ka qenë hera e fundit që je takuar, si janë marrëdhëniet?
Para pak kohësh në një varrim. U takuam i dhashë dorën. Kur ka festa shkëmbejmë mesazhe.
Si brenda politikës po dhe në distancë me të, mund të na jepni një opinion tuaj për situatën politike?
Mendoj se duhen bërë më shumë reforma. Të vjetërit duhet të zëvendësohen me të rinjtë që dinë ta bëjnë atë punë po aq mirë dhe kanë vitalitet, si për shembull më pëlqen Majlinda Bregu. Nuk mund të rri një ministër 8 vjet në atë karrige. Pastaj më duken qesharake këto deklaratat e pasurisë si nga e majta dhe nga e djathta. Ministra e zyrtarë që deklarojnë se kanë marrë kredi e që i duket sikur na e hedhin ne, sepse ne e dimë mirë që kredia mund të merret sot e të lahet të nesërmen, pasi ato lekët i kanë në shtëpi. Merren me fëmijët e Berishës. Ato nuk janë në punë shteti që mund të abuzojnë me detyrën, ato punojnë në sektorin privat e kanë të ardhurat e tyre që kontrollohen fare lehtë. Të njëjtën punë mund të bëjnë nesër edhe fëmijët e Ramës e Nanos, pasi fëmijët do punojnë s’mund të rrinë pa punë se janë djemtë e vajzat e kryeministrit. Po ata që s’e njohin Berishën flasin kështu. Ku të fal Berisha, për kështu gjërash ai prishet edhe me fëmijën e vet me vërtetu se ai ka bërë ndonjë shkelje.
Po për ndryshimin e kreut të SHISH çfarë mendoni?
Mendoj njësoj, që njerëzit s’mund të rrinë nga 8 vjet në një detyrë, duhet të ndryshohen.
Kur ka qenë momenti më i vështirë në jetën tuaj?
Në mitingun e Shkallnurit, kur na hodhën granatën para syve. Unë me Besnikun sa e pamë iu hodhëm sipër granatës, pa e menduar rrezikun, po aty përveç doktorit kishte gra e fëmijë. Azemi ndërkohë mbuloi doktorin me trup.
Pse e bëri atë veprim ai djalë?
E kam marrë vetë në pyetje atë djalin që e ka emrin Ilir, dhe më tha se i kishin premtuar 20 mijë dollarë nëse do e hidhte granatën gjatë mitingut.
Plasi granata?
Jo e kapi Besniku, nuk plasi.
Po dita më e bukur e jetës tënde?
Kanë qenë ditët kur pas burgimit shijoja lirinë.
Një opinion për Fatos Nanon e Edi Ramën?
Edi Ramën se njoh, ndërsa me Nanon jam takuar herët, që më 1991 në Tropojë. Më duket politikan i zgjuar, liberal dhe s’është i përzier në politikën e eliminimeve, pra nuk ka bërë kompromise për të zhdukur politikanë kundërshtarë.