Publikuar më: 19 Shtator, 2012

AK : Berisha ka dalë fotografi me vrasësin Ilir Xhakja !

Aleanca KuqeZi reagoi pas deklarimeve të kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë. Në një njoftim thuhet se Berisha e ka liruar Xhakjan përpara zgjedhjeve lokale. AKZ i ka bërë thirrje Berishës të publikojë fotot ku ka dalë krah për krah me disa vrasës.

“Kreshnik Spahiu e fton shtetasin Sali Berisha të mos e humbasë qetësinë në prag të publikimit të dosjes së krimeve të kryera prej tij gjatë 22 viteve të sundimit në politikën shqiptare.

Aleanca KuqeZi i bën thirrje shtetasit Sali Berisha të tregojë urgjentisht lidhjet e tij të ngushta me të pandehurin Ilir Xhakja dhe arsyet e lirimit të tij pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 8 majit të vitit 2011. Aleanca KuqeZi e fton shtetasin Sali Berisha të botojë në të gjithë gazetat e tij fotot në të cilat ka dalë krah për krah me disa nga vrasësit e Shijakut, Sukthit, Maminasit dhe Durrësit në fushatën elektorale në qarkun e Durrësit. Gjithashtu Aleanca KuqeZi fton shtetasin Sali Berisha të publikojë listën e plotë të gjithë vrasësve të liruar me urdhër të ministrit të Drejtësisë në para zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011,” thuhet në njoftimin e AKZ.

“Shumë shpejt qytetarët e këtij vendi do të njihen me një dosje të plotë të lidhjeve të Sali Berishës dhe Sokol Olldashit me eksponentë të rrezikshëm kriminalë në prag të fushatave elektorale dhe zgjedhjeve të mbajtura,” vijon njoftimi.

Po ashtu në njoftim thuhet se të gjitha kontrollet e bëra në KLD nuk kanë sjellë asnjë rezultat kundër Kreshnik Spahiut.

“Kryetari i Aleancës KuqeZi deklaron se shtetasi Sali Berisha së bashku me deputetet e Partisë Demokratike patën mundësinë e hetimit, kërkimit dhe kontrollit të imtësishëm dymujor të të gjithë veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nëpërmjet komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Janar të këtij viti. Pas kontrollit të çdo shkrese, inspektimi, dosje dhe flete votimi dhe çdo vendimmarrje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me gjithë tendencën politike të hetimit, rezultoi së Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë kishte kryer dhe përmbushur konform ligjit të gjithë detyrën e tij.

Në përfundim të hetimit të detajuar nga komisioni hetimor, rezultoi se Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë kishte kryer vetëm një shkelje, atë të prishjes së marrëdhënieve të shtetasit Sali Berisha me qarqet anti-shqiptarë të Athinës,” thuhet në njoftimin e AKZ.