Publikuar më: 1 Shtator, 2012

Shqipëria në provën Qipro-Zvicër, del lista

Kane nisur ethet e kualifikueseve të Kupës së Botës. Edhe pse trajneri Xhani De Biazi ka preferuar të fitojë edhe pak kohë për të vlerësuar gjendjen e futbollistëve përpara se të vendosë cilët lojtarë do të grumbullojë për debutimin në Grupin E drejt Brazil 2014, kundërshtarët e kuqezinjve duket se janë gati.

Duke nisur nga Qipro, skuadër me të cilën Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi më 7 shtator. Trajneri i ishullorëve, Nioplias ka zgjedhur 24 futbollistët që do të ketë në dispozicion për sfidën me kuqezinjtë dhe më pas me Islandën.
Ai është mbështetur te futbollistët e skuadrave kryesore në Qipro, si APOEL, Anorthosis apo Apollon Limasol, ndërsa i ka dhënë besim tre futbollistëve të rinj Makrides i Metalurg Donjeck, Karalambus i Vasluit dhe Dobrasinoviç i Zhetjsu në Kazakistan.
Dobrasinoviç është njeri prej vetëm dy lojtarëve të natyralizuar me pasaportë qipriote, së bashku me portugezin Dosa Xhunior të grumbulluar nga trajneri, pas polemikave se te Qipro po luajnë shumë lojtarë jo-vendas.
Ndërkohë, listën zyrtare e ka publikuar edhe Zvicra, kundërshtari i Shqipërisë më 11 shtator në Luzernë. Kundër kuqezinjve, trajneri Otmar Hitcfeld i ka thirrur në skuadër të pestë futbollistët me origjinë shqiptarë, që janë shndërruar në elementë shumë të rëndësishëm të helvetëve.
Në këtë mënyrë, kundër Shqipërisë do të luajnë Xherdan Shaqiri i Bajernit të Mynihut, Valon Behrami dhe Blerim Xhemajli të Napolit, Granit Xhaka i Borusia Mynshengladbah dhe Admir Mehmedi, sulmuesi i Dinamos së Kievit.
Kjo sfidë pritet me shumë interes për shumë arsye, duke nisur nga “lufta” mes dy federatave për talentët me origjinë nga Kosova, faktin që Shaqiri me shokë janë kritikuar se nuk këndojnë himnin zviceran, apo edhe prej hilesë së helvetëve me stadiumin dhe biletat, ku pavarësisht tentativave të tyre në impiant pritet të jenë të paktën 6 mijë mbështetës të Shqipërisë.