Publikuar më: 21 Janar, 2013

Ilir Meta ëndërron vota më 23 qershor, harron se po i ikin të gjithë nga partia

meta-lsi11Lëvizja Socialiste për Integrimi ende nuk është pozicionuar qartësisht për zgjedhjet e ardhshme parlamentare por sa më shumë afrohet 23 qershori aq më i mundshëm bëhet bashkëpunimi me Partinë Demokratike. Kreu i saj, Ilir Meta, në një intervistë për emisionin “Zip” në Vizion+ shprehet se ai flet me vota siç ndodhi me 8 maj 2011 dhe siç do të ndodhë më 23 qershor 2013. Bashkëpunimi i LSI dhe PD në zgjedhjet lokale të vitit 2011 solli humbjen e Ramës në kandidimin për mandatin e katërt në drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Duke folur për bashkëqeverisjen me PD-së, Meta ka folur me nota pozitive duke theksuar se vendimi i vitit 2009 ishte i drejt. “Ky koalicion ka funksionuar më mirë se unë e kam menduar në atë kohë”, tha ai. “Problemi kryesor në këto 4 vite nuk ka qenë funksionimi i këtij koalicioni por problemi i një klime më bashkëpunuese dhe më konstruktive në Parlament dhe në vend  midis mazhorancës dhe opozitës”

Për koalicionet e ardhshme, Meta thekson se do të jetë “Konventa Kombëtare e LSI-së në muajin prill e cila do të shprehet për vendimin se si LSI do të paraqitet në zgjedhjet e 23 qershorit”. I pyetur se me cilat forca politike e ndien më afër veten LSI, ai u shpreh se “LSI gjen pika takime me shumë forca të ndryshme politike ashtu sikurse vështirë të gjesh një përputhje të plotë me secilën prej tyre”, duke mos përmendur se kjo është një forcë politike e majtë.