Publikuar më: 28 Prill, 2013

Akuza e Olldashit, Majko: Ironia e Olldashit për karavidhen më ngjall humor

9Deputeti i Partisë Socialiste ka reaguar në lidhje me deklarata e ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi i cili dje tha se Rama është më karavidhe se Pandeli Majko që premton Korridorin e  Kaltër.

Majko në një status të postuar në rrjetin social Facebook, thotë se deklarata e tij i ngjall humor dhe sipas tij është kompliment të akuzohesh për ide për zhvillimin e vendit tënd.

“Ministri Sokol Olldashi paska deklaruar, “por, çudinë e madhe Rama… premtoi se do të ndërtoje një autostradë të kaltër, në det, nga Mali i Zi në Greqi. Ky ia kaloi edhe Pandi Majkos për guxim, nëse është guxim dhe jo gjë tjetër… Pandi tha dikur se do ndërtonte një tunel detar për të lidhur Vlorën me Otranton, ky do ndërtojë një autostradë detare gjashtë herë më të gjatë se tuneli i Majkos. E kuptoni që ky është më karavidhe se Pandi i shkretë!!!”

Ironia e Olldashit më ngjall humor. Të “lajthitur” dikur më quajtën edhe kur deklarova idenë e tunelit të rrugës Durrës – Kukës.  Sot, projekti “TAP” i gazit që do të lidhi Shqipërinë me Italinë fqinje dhe mike është vetëm fillimi i “tunelit” nënujor që do të lidh dy vendet tona.  Është kompliment të akuzohesh pse ke ide dhe ëndrra për të ardhmen e vendit tënd.

Mua më pëlqen mishi i qengjit! Edhe kur mendon se është bërë dash!”,- kundërpërgjigjet Majko.

Dje ministri Olldashi: Rama është më karavidhe se Majko

Dje ministri i Transporteve, Sokol Olldashi komentoi dy deklaratat e kryetarit të opozitës, Edi Rama, bërë në qytetin e Vlorës. Rama premtoi Korridorin e Kaltër dhe deklaroi sërish se qeveria ka ndërtuar jo shumë se 1 mijë kilometra rrugë, dhe jo siç deklaron ai  10 mijë.

Olldashi, duke shkruar në Facebook, thotë se Rama është më karavidhe se Pandeli Majko që pati premtuar tunel detar për të lidhur Vlorën me Otranton. Olldashi tha se Rama premtoi se do ndërtojë një autostradë në det.