Publikuar më: 24 Prill, 2013

KQZ prish zgjedhjet, i heq PBDNJ anëtarët,Manjani: Ky është shtet fashist

KQZ pa opoziteKomisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi të mërkurën me katër votat e anëtarëve të pranishëm, kërkesën e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim për caktimin e anëtarit të LSI-së në përbërjen e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Ky vendim i hap rrugën zëvendësimit të anëtarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me atë të LSI, në KZAZ.

Sipas relacionit shoqërues të aktit LSI i kërkon KQZ-së që të caktohet si parti e cila ka të drejtë të paraqesë propozime për anëtar në KZAZ. Kjo kërkesë e saj vjen pas pranimit dje nga KQZ të kërkesës së PR-së, së cilës i njohu të drejtën për të caktuar anëtarë në KZAZ, si parti e dytë e shumicës parlamentare.

Nisur nga fakti se LSI tashmë renditet si parti e opozitës parlamentare dhe në bazë të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 2009-s, ku LSI renditet e dyta nga numri i mandateve në grupin e partive të opozitës parlamentare, duhet të caktohet ajo force që ka të drejtë të propozojë anëtar në KZAZ.

E depozituar në KQZ vetëm një ditë pas miratimit të kërkesës së Partisë Republikane, së cilës iu njoh e drejta për të caktuar anëtar në KZAZ, si parti e dytë e shumicës parlamentare, kërkesa e LSI-së u mirëprit sot nga komisionerët dhe përfaqësuesit ligjorë të partive politike.

Sipas tyre, kërkesa e LSI-së është e ligjshme dhe vendos balancat në komisionet e nivelit të dytë, duke respektuar kështu baraspeshimin politik shumicë-opozitë, të parashikuar në nenin 29, pika 1, gërma a.
Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, tha se me këtë vendim institucioni që ajo drejton dëshmoi se mbështetet në ligjshmëri.

Në fund të mbledhjes pasi 4 kartonat ishin pro kërkesës së LSI, përfaqësuesit ligjor i LSI, Ylli Manjani u shpreh: Vdekje fashizmit!.
E befasuar kryetarja Lefterie Lleshi pyeti: “Cfarë the?”, por debati nuk vijoi më tej.

KQZ dje shkarkoi 89 anëtarët e LSI në KZAZ, i zëvendëson PR
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje të shkarkojë nga puna 89 anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, struktura e dytë për nga rëndësia pas KQZ-së, për t’u zëvendësuar me përfaqësuesit e Partisë Republikane. Të katër anëtarët e KQZ-së, miratuan kësisoj kërkesën e republikanëve për të pasur komisionerë në KZAZ dhe në të gjitha qendrat e votimit. Por nga ana tjetër refuzuan kërkesën e LSI-së për të zëvendësuar komisionerët e PBDNJ-së me të sajët.

Kjo vendimmarrje, sipas kryetares së KQZ-së, Lefterie Lleshi do të kryhet në një moment të mëvonshëm, pavarësisht insistimit të përfaqësuesit ligjor të LSI-së, Ylli Manjani. “Të bëhet zëvendësimi i partisë së duhur me partinë e duhur sipas atyre kritereve që janë aty dhe problemi është i zgjidhur”, – kërkoi Manjani. Por në replikë me të, Lleshi tha se “ne sot (dje) do t’i referohemi kërkesës së PR-së dhe kërkesa e zotit Manjani do të ishte një kërkesë për një rend dite tjetër, qoftë dhe nesër (sot)”, – tha ajo. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i përfaqësuesit ligjor të LSI-së, i cili shtoi se “po fusni një çështje të re në rendin e ditës, fusni edhe kërkesën tonë se s’ka kuptim që i miratoni komisionerin e PR-së, e po i bëni ZAZ-të me tetë komisionerë praktikisht. Kur i jepni PR-së komisionerin, bëjeni zëvendësimin tamam. Po le ta shikojnë shqiptarët se kush është KQZ, kjo është një KQZ me dy standarte”, – u shpreh Manjani.

Gjithashtu edhe përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj kërkoi që shqyrtimi i kësaj kërkese të bëhet pas regjistrimit të koalicioneve zgjedhore, që është dita e sotme. Por edhe kjo kërkesë e tij nuk u pranua nga kryetarja e KQZ-së, e cila tha se kjo çështje nuk ka lidhje me regjistrimin e koalicioneve. “Heqja e një çështje nga rendi i ditës bëhet vetëm në ato raste kur kemi probleme me materialet, por në kërkesën e PS-së nuk ka shkak ligjor për ta hequr nga rendi i ditës”, – tha kryetarja e KQZ-së. Të paprekura nga ndryshimi mbeten grupet e numërimit të votave, anëtarët e të cilave i përkasin vetëm partive që kanë të paktën 2 deputetë në Kuvend. Më pas KQZ vijoi mbledhjen me shqyrtimin e pikave të rendit të ditës, ku fillimisht rrëzoi pr/vendimin “Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar, i cili do të organizojë punën për paraqitjen e z.Sazan Guri si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Tiranë, për zgjedhjet e 23 qershorit”. Pr/vendimi u rrëzua pasi kërkesa për kandidimin e z.Guri në Tiranë, u konsiderua se nuk i plotësonte kriteret e parashikuara në Kodin Zgjedhor. Shtyrja e afatit për regjistrimin e koalicioneve më 24 prill shtyn automatikisht edhe afatin për depozitimin e emrave të kandidatëve për deputetë nga partitë politike. Sipas përllogaritjeve, 50 ditë nga data e zgjedhjeve është e shtuna e 4 majit. Por, sipas Kodit Civil dhe Kodit Zgjedhor, në rastet e ditëve të pushimit zyrtar, ky afat shtyhet për të hënën 6 majit.