Publikuar më: 29 Prill, 2013

PS nis konsultimet për listat e deputetëve, këtë javë mbyllen

grupi_parlamentar_psNis java e nxehtë e hartimit të listave të kandidatëve për deputetë në Kuvend. Takime me drejtuesit e ekipeve në 12 qarqet e vendit.

Kreu socialist, Edi Rama, nis sot konsultimet e fundit për të hartuar listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë. Burime nga Partia Socialiste pohuan dje se Rama do të nisë sot takimet kokë më kokë me numrat një në listat e PS, për të marrë prej tyre një opinion për emrat para se lista t’i dërgohet Kryesisë socialiste në fundjavë.

Nuk janë të paktë emrat që qarkullojnë si kandidatë të sigurt në lista, por dhe ata që do të jenë në zonat jo të sigurta, por pretendentë për të qene pjesë e administratës publike pas 23 qershorit, nëse PS fiton zgjedhjet. Në Partinë Socialiste ka disa grupe të zgjedhurish që kanë kohë që punojnë në zona. Kryesia socialiste ka çuar që prej një viti të deleguarit e saj në çdo qark, të cilët janë marrë me çështjen e censusit të brendshëm dhe zgjedhjeve në strukturat lokale të PS.

Deputetët aktualë janë duke punuar prej kohësh në zonat e mbulimit të tyre, duke u marrë që nga censusi e deri tek organizimi elektoral i partisë. Si njerëz me mbështetje në bazë, ata vijojnë takimet e përditshme të cilat, sipas porosisë edhe të vetë kryetarit Rama, i pasqyrojnë edhe në rrjetin social Facebook. Por janë duke punuar edhe disa kandidatë që janë prezantuar nga Edi Rama në zona të ndryshme gjatë një fushate intensive, nga një çdo fundjavë, për të ndaluar te kandidatja e qarkut Elbasan, dekania e Ekonomikut, Evis Kushi.

Por, përveç këtyre, janë dhe persona të tjerë që po punojnë në zona me votuesit, të cilët kanë marrë mbështetjen e lidershipit të PS për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, kryesisht biznesmenë. Në këtë situatë, pasiguria e deputetëve aktualë për të qenë sërish në listë është rritur, gjë që duket se do të reflektohet dhe te strukturat e PS, por dhe elektorati që mbështet deputetët në këto zona.

Por në një nga daljet e tij publike, Edi Rama është shprehur se lista e kandidatëve të PS për deputetë nuk do të ketë përmbysje, por vetëm disa modifikime, duke rritur shpresat e deputetëve aktualë.