Publikuar më: 18 Maj, 2013

KQZ me 4 anëtarë rendit partitë në fletën e votimit

KQZ pa anetaret e PSPartia Socialiste do të jetë numri 29 në fletën e votimit për zgjedhjet e 23 qershorit, ndërsa Partia Demokratike në numrin 43. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi dje shortin për renditjen e subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Lista do të kryesohet nga dy parti që kandidojnë më vete, siç është Lidhja për Drejtësi e Progres dhe nga Partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë. Më pas renditet blloku i partive anëtare të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane. Nga partitë e majta, lista kryesohet nga partia e çamëve, Partia Aleanca Popullore që do të mbajë numrin rendor 3. Lëvizja Socialiste do të mbajë numrin rendor 26, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut  nr 6, Partia Demokracia Sociale nr 19. Blloku i partive të majta përfundon në numrin 39, ku është renditur Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim e drejtuar nga Nikolin Staka. Koalicioni i djathtë do të renditet në fletën e votimit pas koalicionit të majtë. Nga partitë e djathta, e para do të jetë Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, e cila do të renditet te numri 40. Partia Demokratike do të jetë numri 43, ndërsa aleati i saj besnik do të jetë numri 45 në fletën e votimit. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e drejtuar nga Shpëtim Idrizi  do të jetë në vendin e 50. Lista e partive anëtare të koalicionit të djathtë përfundon me Partinë Bashkimi Demokratik Shqiptar që renditet numri 64. Pas dy koalicioneve të mëdha, fleta e votimit përfundon me dy parti të tjera që kanë vendosur të garojnë të vetme në zgjedhjet e përgjithshme. Partia Aleanca Kuq e Zi e drejtuar nga Kreshnik Spahiu do të garojë me numrin 65, ndërsa Partia Fryma e Re Demokratike e drejtuar nga Bamir Topi do të renditet e fundit me numrin 66. Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte përcaktuar që të miratonte edhe modelin e ri dhe përcaktimet e reja teknike pas hedhjes së shortit, mbledhja u shty për të hënën gjersa fleta përfundimtare të jetë gati nga administrata.

Debati 

Hedhja e shortit të partive politike nuk kaloi pa debate në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga përfaqësuesit ligjorë të partive politike. Përfaqësuesit e majtë u shprehën se procedura kërkon shumicë të cilësuar, ndërsa përfaqësuesit e djathtë dhe  katër anëtarët e mbetur deklaruan se janë të mjaftueshme edhe katër vota duke mos e konsideruar hedhjen e shortit për partitë politike akt normativ. “Administrata ka harruar të përdorë nenin 98. Neni 98 pika 5 përcakton një tjetër gjë. Kjo konsiderohet e votuar me 5 vota, pasi ky akt ka karakterin e një akti normativ. Ju duhet të tregoni se nuk mund të funksiononi në këtë mënyrë për të gjitha ato vendime që kërkojnë vendimmarrje të caktuar me 5 vota. Do të jenë edhe disa raste të tjera që do të kërkojnë kuorumin e nevojshëm të votave. Duhet të deklaroni të vërtetën që keni për të mos patur mundësi të votoni aktet me 5 vota. Jemi para një akti të thjeshtë dhe nuk mund ta miratojmë me 4 vota”, tha Gjonçaj. Kundër qëndrimit të tij ishte përfaqësuesi ligjor i PD-së si dhe vetë kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi. “Gjithçka është e mbështetur në kod dhe në ligj. Në nenin 23 ka elemente të rëndësishëm për ta vlerësuar një akt normativ. Për shorte në Kodin Zgjedhor flitet në mjaft raste. Aktin normativ nuk mund ta prodhoni ju në kundërshtim me nenin 23. Akti i sjellë është një akt i zakonshëm që mund të votohet nga ju edhe me 4 vota”, u shpreh Niazi Kosovrasti. Ndërkohë që Lleshi u shpreh se “Ky nuk është një akt i përhershëm, por vetëm për renditjen e partive për zgjedhjet e 23 qershorit”.

Fletët e votimit

Për zgjedhjet për Kuvendin, zgjedhësi voton me një fletë votimi me ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore. Fletët e votimit duhet të jenë prej letre me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie, sipas përcaktimeve me akt normativ të KQZ-së. Emrat e subjekteve zgjedhore vendosen në fletën e votimit, sipas rendit të përcaktuar në mënyrë të rastësishme nga shorti. Përbri emrit të partisë vendoset sigla, shkronja nistore dhe emri i kryetarit të partisë. Çdo subjekti që renditet në fletën e votimit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësi. Partitë pjesëtare në një koalicion zgjedhor shënohen të renditura njëra pas tjetrës në pjesën e fletës së votimit që i përket koalicionit zgjedhor. Për secilën nga partitë politike të koalicionit shënohen emri i partisë, sigla, shkronjat nistore dhe emri i kryetarit të partisë. Çdo partie politike anëtare të koalicionit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësi. Radha e renditjes së tyre përcaktohet në mënyrë të rastësishme nëpërmjet shortit.

Numërimi elektronik, KQZ-ja i nis INDRA-s vërejtjet

KQZ-ja  do t’i paraqesë firmës INDRA mangësitë teknike për sistemin e numërimit elektronik që do të zhvillohet në Qarkun e Fierit. Edhe pse qeveria ka dhënë një shumë të konsiderueshme për aplikimin e kësaj teknologjie në zgjedhje, duket se dështimi është mëse i sigurt. Shqetësimet u ngritën në mbledhje dhe nga përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, i cili kërkoi që të analizohet me kujdes edhe raporti i opozitës. Në raportin e hartuar nga grupi auditues mbi testin e parë që u realizua nga kompania INDRA, rezulton se zgjidhja më e mirë do të ishte numërimi manual. Janë gjithsej katër konstatime të vërejtura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të cilët do t’i përcillen firmës për rregullimin e problemeve. Auditusit ngrenë shqetësimin se sistemi nuk dallonte në pjesën e kuadratit të bardhë në të djathtë të partisë ku vendosej shënjimi nëse ishte shenjë apo shkrim. Në këtë mënyrë votuesi mund të vendosë çdo shenjim në kuadratin e bardhë dhe sistemi e konsideron të vlefshëm. Një tjetër kritikë lidhet me ruajtjen e të dhënave. Sipas KQZ-së, ”prova nuk filloi me gjenerimin e “raportit zero” i cili duhet të garantojë që paraprakisht në sistem nuk ka informacion të mbetur (detyrim i përcaktuar në aneksin II, pika 1.9 të kontratës).Edhe më alarmante paraqitet mundësia e kalimit të dy fletëve të votimit njëherësh, çka rrezikon që të ulë numrin e fletëve të votimit të numëruara. “Skanimi i dy fletëve përnjëherë dhe që skaneri nuk ndalonte automatikisht, por duhet të ishte operatori që të konstatonte këtë fakt dhe të ndalonte skanerin, ishte një procesi i cili nuk garanton saktësi 100%, pasi nuk mund të bazohet saktësia e makinerisë të vëmendja e operatorit”, theksohet në raport. Në fund të konstatimeve të tyre, KQZ-ja shprehet se rezultati i numërimit të fletëve të votimit do të dilte më shpejt nëse fletët do të numëroheshin manualisht nga anëtarët e grupeve të numërimit. “Procesimi i fletëve filloi në orën 10:18 dhe mbaroi në orën 17:58 (Raporti Indra) nisur nga praktika e deritanishme, për një volum të tillë të numërimit të fletëve të votimit ngritja e 5 grupeve të numërimit do të kishte nxjerrë rezultat më të shpejtë”, theksohet në raport.