Publikuar më: 18 Maj, 2013

Muho Asllani shkarkohet nga Partia e Punës, i shërbente Berishës

10Kandidimi i Muho Asllanit , sekretar politik i Komitetit Qendror të Partisë së Punës në Shkodër, i ka kushtuar atij përjashtimin nga Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë të Riorganizuar.

Në një komunikatë për shtypin, PPSHR njoftoi dje, se: “Në lidhje me anëtarin e Byrosë Politike të KQ, Muho Asllani, forumi i lartë vendosi në mënyrë unanime përjashtimin e tij nga Byroja Politike, shkarkimin si Sekretar Politik i Komitetit Qendror dhe përjashtimin nga Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar”. “Gjatë diskutimit, shokët e Byrosë vunë në dukje faktin se Muho Asllani ka shkelur vijën e partisë, ka shpërfillur kritikat e shokëve dhe ka kryer edhe në të kaluarën disa veprime të rënda, sikurse ishte kandidimi në Durrës në kohën kur kryetar i PPSH-së ishte Muharrem Xhafa”, thuhet në njoftimin pas mbledhjes. Po sipas këtij njoftimi, “me veprimet e tij, Muho Asllani i ka shërbyer dhe po i shërben Sali Berishës dhe po bashkëpunon me elementë të dyshimtë që punojnë për të sabotuar lëvizjen komuniste në Shqipëri, duke përfshirë edhe ish-aparatçikë të Komitetit Qendror të PPSH”. Sipas këtij njoftimi, debate ka ngjallur pika 5 e programit të paraqitur për miratim nga sekretariati i Komitetit Qendror, ajo për licencimin e kultivimit dhe shitjes për qëllime mjekësore dhe industriale të disa bimëve që gabimisht janë quajtur droga, si kanabis sativa (kërpi industrial). Marko Dajti, Sekretari i parë i Komitetit Qendror tha në mbledhje se “në Shqipëri kjo bimë nuk ka qenë e kriminalizuar as në kohën e Partisë së Punës, madje mbillej nëpër vazo në familjet shqiptare dhe përdorej për çaj kur e rekomandonte mjeku”.

Ai tha se, duhen liruar nga burgjet ata që janë dënuar për këtë çështje. Debati për këtë pikë zgjati më shumë se tri orë, pas kundërshtimit të dy prej anëtarëve të Byrosë Politike, Arif Aduri dhe Nikollë Këneta. Njoftimi i Partisë së Punës së Shqipërisë së Riorganizuar thotë se: “këta shokë kaluan në veprime ekstreme, duke provokuar Byronë politike dhe PPSHR me kundërpropozimin për të legalizuar edhe martesat homoseksuale apo ushtrimin e prostitucionit. Në këto kushte, Byroja Politike e KQ të PPSHR vendosi në mënyrë unanime të përjashtojë shokët Arif Aduri dhe Nikollë Këneta nga funksioni si anëtarë të Byrosë Politike dhe Komiteti Qendror, duke theksuar se PPSHR nuk është për legalizimin as të martesave homoseksuale dhe as të prostitucionit dhe duke i lënë të lirë të shkojnë në partinë që kërkojnë të përfaqësojnë”, – përfundon njoftimi për shtyp.

GSH