Publikuar më: 7 Qershor, 2013

Berisha: Ecim përpara me makinë dhe me lopë !

5Kryeministri i vendit, Sali Berisha, u ndal sot në Manzë të Durrësit, nga ku prezantoi kandidatët për Partinë Demokratike në qarkun e Durrësit .

Në fjalën e tij, kryeministri premtoi se në 4 vjetët e ardhshëm, do të bëhet gjithçka për të zhvilluar jo vetëm Manzën dhe Durrësin, por të gjithë Shqipërinë.

“Ne na bashkojnë shumë gjëra, pavarësisht mendimeve të ndryshme. Do të bëjmë gjithçka për Manzën, për Durrësin e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë europiane.

Durrësi dhe shqiptarët së bashku e bënë Shqipërinë vend anëtar të NATO-s, së bashku ne ia dolëm që të firmosim marrëveshjen e MSA-së, së bashku ne ia dolëm të heqim vizat dhe të lëvizim të lirë në mbarë Europën, së bashku ne merituam statusin e vendit kandidat.

Këto vite u rritën rrogat më shumë se kurrë. Ju sot e ndjeni dhe e prekni që Manza prodhon sa kurrë në historinë e saj. Ju e dini se në vitet e krizës ekonomike, mundi dhe djersa juaj bëri të mundur që ky vend dhe kjo ekonomi të eci përpara.

Ju tani udhëtoni në rrugë që nuk i kishit më parë. Pra mundi dhe djersa juaj i shndërruan këto vite në integrim të Shqipërisë”, tha Berisha. Më tej kryeministri sulmoi kreun e PS-së, duke thënë se ai vuan nga fiksimet, lidhur me batutat për antiplumbin.

“Gjatë gjithë fushatës, në çdo takim nuk harron të servirë këmishën, xhaketën apo jelekun tim si antiplumb. Një demokrat më çoi një sms dhe me tha: “ai beson se ke lindur me këmishë. E ka fiksim nuk kemi ç’t’i bëjmë.

Tani ua qan hallin nipërve dhe mbesave të mija se nuk ka kush të kujdeset për ta, ka fiksime, le t’ia lëmë ato”, tha kryeministri.

Më tej Berisha rinisi me akuzat  ndaj PS-së dhe programit të saj.  “Ky nuk merr vesh absolutisht se ç’është fshati dhe tregu. Këtij i doli një ditë një lopë përpara autobusit mavi dhe u tmerrua, kjo s’është rrugë tha. Dhe shkoi e u tha qytetarëve, “ja rrugët e Saliut, të del lopa përpara”.

Po të del lopa se kështu jemi ne, kemi dhe veturën dhe lopën. Ecim përpara ne. Sot kur gjithë bota po i ul taksat për të dalë nga kriza, ky do zëvendësimin e taksave të ulëta me taksën që për herë të parë në Shqipëri e vendosi daja i tij, Spiro Koleka.

Taksa që ne kemi vendosur është më e drejta, më e ndershme që ka ekzistuar në shekuj dhe mijëvjeçarë”,  tha Berisha.