Publikuar më: 25 Korrik, 2013

Ndarja e përgjegjësive, përfundon takimi i Ramës me aleatët, mungon Gjinushi

aleat prape per tininKreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka mbledhur pasditen e sotme për herë të parë pas fitores në zgjedhje, aleatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”.

Mbledhja e cila ishte planifikuar për tu mbajtur në orën 17:00, u shty dhe ka nisur në orën 19:00, pasi nuk ishin të pranishëm të gjithë krerët e partive aleate, ndërsa në fokus të tij pritet të jetë zbatimi i marrëveshjes parazgjedhore dhe formimi i qeverisë së re.

Ndërkohë që rreth orës 19:00 kanë mbërritur në selinë e Partisë Socialiste, Paskal Milo i PSD-së, Petro Koçi i PSV 91, Ervin Mete i G-99, Spartak Ngjela i PLD-së, Artur Dojaka i AP-së, Zef Bushati i ADK-së, ndërsa Vangjel Dule i PBDNJ-së ka dërguar një  përfaqësues në këtë takim.

Por ajo që vihet re është mungesa e Kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushi.

Në marrëveshjen parazgjedhore të nënshkruar mes PS-së dhe aleatëve të saj thuhet se pas fitores në zgjedhje të koalicionit, ndarja e posteve për partitë aleate do të bëhet në bazë të votave të marra në zgjedhjet e 23 qershorit

“Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike. Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror”, thuhet në marrëveshje.

Një ditë më parë, kreu i PS-së dhe njëherësh edhe kryeministri i ardhshëm i vendit saktësoi edhe strukturën e qeverisë së re e cila do të ketë në përbërjen e saj 16 ministri.

Kreu i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku e cilësoi takimin e si mjaft të frytshëm, ndërsa theksoi se në mbledhje nuk u diskutua për ndarjen e posteve ministrore.

“Ishte një takim shumë i frytshëm, ishte rikonfirmim i marrëveshjes dhe marrëdhënieve tona. Kryeministri i ardhshëm foli me ne për formën dhe mënyrën e qeverisjes, duke na porositur për njerëzit që do punojnë në administratë. Nuk diskutuam konkretisht për kabinete. U la që të kemi një koordinator brenda koalicionit.”- deklaroi Frroku.

PETRO KOÇI: KOORDINATORI MES ALEATËVE DHE PS, GJERGJ NDOJI
Kryetari i PSV91, Petro Koçi bëri të ditur në një komunikim telefonik në “News24” se në takimin e sotëm u vendos që Gjergj Ndoji të jetë koordinatori mes aleatëve dhe PS-së. Koçi bëri të ditur se në takim u rikonfirmua angazhimi për bashkëpunim mes të gjitha partive të koalicionit fitues.

“U përcaktuan disa drejtime te qarta lidhur me kontributin në qeverisje të partive. Praktika e deritanishme e katandisjes së shtetit në parcela partiake të mos jetë më. Partitë do të kenë kontributin e tyre në pjesën politike të administratës, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në përputhje me ligjin e nëpunësit civil”- deklaroi Koçi.