Publikuar më: 1 Tetor, 2013

Këshilli i Europës: Të jepet drejtësi për 21 Janarin, Gjykatat në reformë

21 JANAR GARDA KRYEMINISTRIAKomiteti i Monitorimit të Këshillit të Evropës, përgjegjës për verifikimin e përmbushjes së angazhimeve dhe detyrimeve të marra përsipër nga vendet anëtare, diskutoi sot raportin mbi vendet anëtare ende nën procedurën e monitorimit.
Eduard Shalsi, i cili merr pjesë në këtë komitet, theksoi se gjatë paraqitjes dhe diskutimit të raportit vjetor të Komitetit Monitorues, mbështetur në vizitën e raportuesve në Shqipëri, u nënvizuan një numër shqetësimesh që përfshijnë sistemin e drejtësisë, diskriminimin e minoriteteve dhe përjashtimin social të komunitetit rom, korrupsionin, si dhe pastrimin e parave nga krimi i organizuar.
Një theks i veçantë u vendos në politizimin e ngjarjeve të 21 Janarit, gjatë të cilave u vranë 4 protestues përpara zyrës se Kryeministrit që, siç vë në dukje raporti, ka ndikuar negativisht në pavarësinë institucionale të gjykatës dhe prokurorisë.
“Shpallja të pafajshëm e të akuzuarve për vrasjet e 21 Janarit është kritikuar gjerësisht në shoqërinë shqiptare,”thuhet në raport.
Po sot në debatin për Kosovën në Komitetin e Politikave të Këshillit të Evropës, deputetja Valentina Leskaj kërkoi rritjen e mbështetjes së KiE për Kosovën, mbështetur në rezolutën e Asamblesë Parlamentare.
Leskaj tha se Kosova ka bërë hapa pozitiv në raport me shtetin ligjor si dhe ka arritje në procesin e dialogut politik dhe negociatave.
Ajo kërkoi mbështetje për procesin e njohjes së Kosovës, si dhe shqiptarët e Luginës se Preshevës, të cilët duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta që gëzon çdo qytetar i KE.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Jagland, ju referua kërkesës së Leskajt për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.